OKB-ja: PKK/YPG-ja në vitin 2023 rekrutoi me forcë 231 fëmijë në Siri / Photo: AA

Raporti i Kombeve të Bashkuara (OKB) zbuloi se PKK/YPG-ja dhe struktura të tjera të lidhura me organizatën në vitin 2023 kanë rekrutuar me forcë 231 fëmijë në Siri.

Anadolu ka arritur deri te raporti "Fëmijët dhe Konfliktet e Armatosura" i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili përfshin të dhëna të vitit 2023 dhe ende nuk është bërë publik.

Sipas raportit, vitin e kaluar organizata terroriste PKK/YPG, e cila në Siri e përdor emrin SDG si dhe strukturat e lidhura kanë rekrutuar me forcë 231 fëmijë.

PKK/YPG-ja gjithashtu në fund të vitit 2023 vazhdoi të privojë nga liria më shumë se 800 fëmijë, përfshirë shtetas të huaj me pretendimin për lidhjen e tyre të dyshuar me grupe të ndryshme të armatosura.

Rreth 29 mijë fëmijë të dyshuar për lidhjen e tyre me organizatën terroriste DEASh jetojnë të privuar nga liria prej vitesh në kampet e dominuara nga PKK/YPG në verilindje të Sirisë.

PKK/YPG dhe strukturat tjera në vitin 2023 kanë vrarë ose kanë gjymtuar 8 fëmijë. Gjithashtu, terroristët kanë përdorur 31 shkolla dhe spitale për aktivitetet e tyre të armatosura.

Guterres kërkon lirimin e fëmijëve

Raporti përfshin edhe vlerësimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Duke vënë në dukje se numri i lartë i shkeljeve të rënda ndaj fëmijëve në Siri është alarmant, Guterres kërkon respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.

Guterres bëri thirrje për lirimin e pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të të gjithë fëmijëve, duke theksuar se sulmet ndaj shkollave dhe spitaleve duhet të ndalen dhe këto ndërtesa të mos përdoren për qëllime ushtarake.

Ai thekson se numri në rritje i fëmijëve të rekrutuar dhe përdorur me forcë nga organizata terroriste PKK/YPG është shqetësues. Guterres potencon se dhuna që prek gratë dhe fëmijët në kampet dhe qendrat e paraburgimit në verilindje të Sirisë është shqetësuese dhe se kufizimi i lirisë së tyre mund të jetë masa e fundit që duhet marrë.

AA