Ndërsa organizata terroriste PKK/YPG, e cila gëzon mbështetjen e ShBA-së, vazhdon të rekrutojë fëmijë që i rrëmben në kundërshtim me konventat dhe rregulloret e ndryshme ndërkombëtare, shumë fëmijë humbasin jetën gjatë arratisjes ose tentativave për vetëvrasje ose në zona konflikti.
Edhe pse në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, veçanërisht me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, PKK/YPG-ja vazhdon të rekrutojë fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe ua merr të drejtën e jetës mijëra fëmijëve.
Ndonëse në qershor 2019 u nënshkrua një tekst midis OKB-së dhe liderit të PKK/YPG-së, Ferhat Abdi Shahin, me emrin e koduar “Mazlum Abdi”, mbi “lirimin e fëmijëve nga organizata dhe mospërdorimin e tyre në konflikte të armatosura”, organizata po i vazhdon ende aktivitetet e saj në fjalë. Organizata terroriste përpiqet të mbushë boshllëkun me fëmijë
Bazuar në informacione që Anadolu ka siguruar nga burime të sigurisë, mosha mesatare e fëmijëve në organizatën terroriste është 15 vjeç, ndërsa mbijetojnë mesatarisht tetë vjet.
Për shkak të rënies së numrit të pjesëmarrjes vullnetare në vitet e fundit, organizata përpiqet të plotësojë boshllëkun duke rritur pjesëmarrjen e fëmijëve.
Ndërsa fëmijët e vegjël rekrutohen në organizatë nëpërmjet metodave të mashtrimit, detyrimit dhe rrëmbimit, organizata gjithashtu premton paga për fëmijët dhe familjet, të cilat po përballen me vështirësi ekonomike në Irak dhe Siri.
PKK/YPG-ja merr fëmijët e familjeve që nuk paguajnë ose nuk mund të paguajnë haraçin e maskuar nën emrin “detyrim tatimor” dhe përpiqet të sigurojë që të paktën një person nga çdo familje t’i bashkohet organizatës nën emrin “shërbim i detyrueshëm ushtarak”.
Grupi i quajtur “Rinia Revolucionare”, i menaxhuar nga stafi i organizatës terroriste në Siri, vepron gjithashtu për të siguruar pjesëmarrjen e fëmijëve të vegjël në organizatë duke i marrë me forcë ose rrëmbyer.
Abuzim seksual ndaj vajzave
Përveç kësaj, terroristët abuzojnë seksualisht me vajzat nën moshën 18 vjeç. Deri më tani, shumë vajza kanë humbur jetën për shkak të tentativave për të ikur nga kampet, vetëvrasjeve dhe sëmundjeve.
“Trajnimi” i ofruar nga grupi terrorist për fëmijët zgjat afërsisht nëntë muaj dhe për të shmangur problemet në kuadër të dispozitave të ligjeve ndërkombëtare, fëmijët që trajnohen regjistrohen me emra dhe të dhëna të ndryshme identiteti.
Qendrat e trajnimit të organizatës
Disa nga fëmijët e rrëmbyer nga organizata terroriste dërgohen në rajonet Kandil dhe Sinjar të Irakut.
Emrat e qendrave të trajnimit të organizatës në Siri janë si më poshtë:
“Qendra Rinore (rrethi Tel Rifat), Akademia Gelhat (Rajoni An-Nasiriyah), Qendra e Trajnimit (Rajoni Tishrin/Provinca Raqqa), Qendra Edukative As-Sad (Manbij), Kum Aftar/Shtabi i Logjistikës (Kum Aftar), Shtabi-Jetimorja (Rrethi Aynularab), Qendra e Edukimit Ideologjik për Fëmijë (Aynularab), Shtabi i Ekipit Apocu Fedai (Aynularab), Batalioni i Rëndë Ş. (Rrethi Tabqa/Raqqa), Divizioni i 17-të (Raqqa), Batalioni i Fëmijëve (Qyteti Temir/Provinca Hasakah), Akademia Ş. Uğur Kaymaz (Hasakah), Qendra Edukative Kabakah, Qendra Edukative Tel Mozan (Rrethi Amude/Hasakah), Qendra Edukative Es-Sabha (Provinca Deir ez-Zor), Qendra Edukative Al-Basira (Deir ez-Zor), Qendra e Edukimit Ideologjik të Fëmijëve (Qyteti el-Muabbede/Hasakah), Qendra e Rekrutimit të Detyrueshëm (Qyteti Qahtaniye/Hasakah), Qendra e Edukimit Ideologjik të Fëmijëve (Rrethi Malikiye/ Hasakah), Qendra e Edukimit Ideologjik të Fëmijëve (Ayn al-Hadra/Hasakah), Batalioni i Rinisë Ayn (Ayn al-Hadra), Akademia e Sabotimit (Gir Kendal/Hasakah).
Reagim nga banorët e zonës
Rekrutimi i dhunshëm i fëmijëve nga PKK/YPG-ja ka shkaktuar së fundmi reagime serioze në mesin e banorëve të rajonit në Siri dhe popullata ka organizuar protesta. Organizata i ka shtypur këto reagime me dhunë.
Disa nga familjet, fëmijët e të cilëve janë rrëmbyer, u janë drejtuar organizatave ndërkombëtare dhe u kanë kërkuar atyre të kontaktojnë organizatën për t’i kthyer fëmijët e tyre.
Disa organizata ndërkombëtare kanë kontaktuar periodikisht me PKK/YPG-në, e cila përdor emrin SDF në Siri, dhe kanë kërkuar që të raportohet për vendndodhjen e fëmijëve dhe t’u dorëzohen familjeve të tyre.
Raportet ndërkombëtare
Nga ana tjetër, rekrutimi i fëmijëve nga organizata është pasqyruar në shumë raporte ndërkombëtare.
Në “Raportin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore” të qeverisë amerikane në vitin 2016, theksohej se “dega siriane e PKK-së, PYD/YPG, vazhdon të rekrutojë dhe përdorë djem dhe vajza, përfshirë fëmijë nën moshën 15 vjeç, si anëtarë të organizatës dhe t’i marrë ata në kampet stërvitore”.
Në raportin shtetëror të vitit 2014 “Praktikat e të Drejtave të Njeriut” të Byrosë së Departamentit amerikan të Shtetit për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, nën titullin “Ushtarët Fëmijë”, thuhej se “PKK-ja rekruton rregullisht fëmijë dhe nuk dihet se sa fëmijë ushtarë janë ende në PKK”.
Në raportin e titulluar “Fëmijët dhe Konflikti i Armatosur” i dorëzuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në Këshillin e Sigurimit në qershor 2015, thuhej se “është konstatuar se vajza dhe djem nën moshën 15 vjeç janë rekrutuar nga YPG/YPJ-ja dhe janë përdorur në zonat e luftës”.
Në përmbledhje, raporti i titulluar “Fëmijët dhe Konfliktet e Armatosura”, i publikuar nga OKB-ja në korrik 2023 dhe që përmban të dhëna për “fëmijët e rekrutuar, vrarë ose plagosur” në zonat e konfliktit në vitin 2022, thuhet: “Në Irak dhe Siri, organizata ka rekrutuar 696 fëmijë në vitin 2022 dhe i ka përdorur në postblloqe dhe konflikte dhe ka shqetësim për rritjen e rasteve të rekrutimit dhe përdorimit të fëmijëve nga PKK/YPG/SDG-ja”.
Iniciativat e UNICEF-it
Fondi i OKB-së për fëmijët, UNICEF, në qershor 2014 kishte deklaruar: “UNICEF-i është thellësisht i shqetësuar nga lajmet se fëmijë gjenden në radhët e PKK-së, e cila konsiderohet organizatë terroriste nga komuniteti ndërkombëtar. Përdorimi i fëmijëve nga forcat e armatosura dhe grupet terroriste është kundër ligjit ndërkombëtar”.
Thuhet se gjatë takimit të Përfaqësuesit të UNICEF-it për Sirinë me anëtarët e organizatës në vitin 2022, ata kanë marrë shumë ankesa nga familjet që banonin në rajonet nën kontrollin e grupit terrorist, i cili, siç thuhet, po i merrte fëmijët e tyre dhe po i dërgonte në zonat e konfliktit nën kontrollin e saj, nën emërtimin e ashtuquajtur “rekrutim ushtarak”. Po ashtu, rikujtohet se ekziston një protokoll mes UNICEF-it dhe PKK/YPG-së “për përjashtimin e fëmijëve të mitur nga rekrutimi” dhe është paralajmëruar se do të iniciohej procedurë ndërkombëtare ndëshkuese nëse shkelja e marrëveshjes vazhdon.
Human Rights Watch gjithashtu regjistroi në raportin e saj të qershorit 2014 se “YPG-ja rekrutonte fëmijë”.