Një avion luftarak rus SU-27 u përplas me një dron amerikan Reaper në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi, duke shkaktuar rrëzimin e avionit amerikan, tha Pentagoni të martën.
Incidenti ndodhi pasi avioni rus dhe një tjetër SU-27 "i zunë rrugën në mënyrë të pasigurt dhe joprofesionale" Reaperit, duke përfshirë hedhjen e karburantit në dronin dhe fluturimin përpara tij "në një mënyrë të pamatur, të pasigurt për mjedisin dhe joprofesionale". Një nga SU-27 goditi helikën e MQ-9 rreth orës 7:03 të mëngjesit CET (0603 GMT).
Komanda Evropiane e ShBA-së tha se incidenti "dëshmon mungesë kompetence, përveçse bëhet fjalë për pasiguri dhe joprofesionalizëm".
"Fluturakja jonë MQ-9 po kryente operacione rutinë në hapësirën ajrore ndërkombëtare kur u kap dhe u godit nga një avion rus, duke rezultuar në një përplasje dhe humbje të plotë të MQ-9," tha komandanti i Forcave Ajrore të ShBA-së për Evropë, gjeneral James B. Hecker, në një deklaratë, duke iu referuar Reaperit.
"Ky akt i pasigurt dhe joprofesional nga rusët pothuajse shkaktoi rrëzimin e të dy avionëve. Avionët e ShBA-së dhe aleatëve do të vazhdojnë të operojnë në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe ne u bëjmë thirrje rusëve të sillen në mënyrë profesionale dhe të sigurt," shtoi ai.
Presidenti amerikan Joe Biden është informuar për këtë çështje nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, tha Shtëpia e Bardhë.
Pentagoni tha se incidenti është pjesë e një modeli më të gjerë "veprimesh të rrezikshme nga pilotët rusë ndërsa ndërveprojnë me avionët e ShBA-së dhe aleatëve mbi hapësirën ajrore ndërkombëtare, duke përfshirë ndërveprimin mbi Detin e Zi", duke paralajmëruar se rrezikojnë "llogaritje të gabuar dhe përshkallëzim të paqëllimshëm".
14 Mar 2023
Pentagoni: Avioni rus u përplas me dronin amerikan mbi Detin e Zi
Sipas zyrtarëve amerikanë, incidenti ndodhi pasi dy avionë rusë "i zunë rrugën në mënyrë të pasigurt dhe joprofesionale" dronit amerikan Reaper MQ-9.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.