Peskov: Komentet e Bidenit për Putinin, "të papranueshme" /           Foto: AA

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kritikoi deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden për homologun e tij rus Vladimir Putin, duke i quajtur ato "të papranueshme".

Duke folur në një konferencë shtypi në Moskë, Peskov theksoi se kur Biden "flet kaq pa respekt për liderët e vendeve të tjera", ai "demonstron sjellje që është absolutisht e papranueshme për një kryetar shteti".

"U referohem deklaratave të tij për presidentin Putin. Kjo është e papranueshme për ne. Ne besojmë se kjo nuk reflekton mirë për kreun e shtetit amerikan. Kjo është diçka që ne i kushtojmë vëmendje të drejtpërdrejtë dhe e konsiderojmë absolutisht të papranueshme", theksoi ai.

Peskov nuk pranoi të komentojë nëse gabimet e Bidenit mund të ndikojnë në shanset e tij për t’u rizgjedhur, duke thënë: "Lërini votuesit amerikanë të përcaktojnë shanset e kandidatëve".

Në samitin e NATO-s në Uashington, Biden gabimisht e quajti presidentin ukrainas Zelenskyy "presidenti Putin".

"Ia lë radhën presidentit të Ukrainës, i cili ka aq guxim, aq sa ka vendosmëri. Zonja dhe zotërinj, presidenti Putin. Presidenti Putin?! Ai do të mundë presidentin Putin. Presidenti Zelenskyy! Jam shumë i fokusuar ta mundim Putinin. Duhet të shqetësohemi për këtë", tha ai.

"Unë jam më i mirë se kaq", tha Zelenskky në përgjigje, pas së cilës Biden u përgjigj: "Ju jeni shumë më i mirë".

Peskov mohoi gjithashtu që Putin i ka dërguar mesazh Donald Trumpit nëpërmjet kryeministrit hungarez Viktor Orban, duke theksuar se nuk kishte mesazhe "as të shkruara dhe as gojore” për ish-presidentin amerikan.

Duke iu referuar thirrjes së Kievit për vendet e NATO-s që të heqin kufizimet për sulmet me raketa ndaj Rusisë, Peskov tha se armët e prodhuara në vendet e NATO-s tashmë po godasin territorin rus.

Zyrtari rus paralajmëroi se një rritje e mundshme në gamën e sulmeve të tilla do të ishte "provokim që çon në përshkallëzim tensioni".

AA