Popullsia e BE-së parashikohet të bjerë me 6 për qind deri në vitin 2100.   / Foto: AA

Vendet e Bashkimit Evropian do të pësojnë ulje të popullsisë. Kështu ka parashikuar së fundmi Eurostat. Sipas projeksionit të Popullsisë që e ka realizuar Eurostat, popullsia e BE-së do të ulet me 6 për qind midis 1 janarit 2022 dhe 1 janarit 2100, ekuivalente me 27,3 milionë njerëz më pak.

Pas një rënie në 2020 dhe 2021 për shkak të ndikimeve të pandemisë COVID-19, popullsia e BE-së filloi të rikuperohej gjatë vitit 2022.

Si pasojë e fluksit masiv të refugjatëve nga Ukraina në BE si rezultat i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, popullsia vlerësohet të ketë arritur në 451 milionë persona më 1 janar 2023. Për më tepër, popullsia e BE-së parashikohet të arrijë në 453 milionë njerëz në vitin 2026, përpara se të zvogëlohej në një nivel të parashikuar prej 420 milionë në vitin 2100.

Rezultatet bazohen në supozimet e konvergjencës së pjesshme të modeleve të fertilitetit, vdekshmërisë dhe migrimit të vendeve të BE-së.

Përqindja e fëmijëve dhe të rinjve (nga 0 deri në 19 vjeç) në popullsinë totale parashikohet të ulet nga 20 për qind në fillim të vitit 2022 në 18 për qind deri në vitin 2100. Po kështu, pjesa e njerëzve në moshë pune (20-64 vjeç) në popullsinë totale të BE-së parashikohet të ulet nga 59 për qind në vitin 2022 në 50 për qind në vitin 2100.

Në të kundërt, pjesa e grupmoshave më të vjetra (65 vjeç ose më shumë) në popullsinë totale të BE-së parashikohet të rritet. Përqindja e atyre të moshës 65-79 vjeç pritet të rritet me 2 për qind, nga 15 përqind në fillim të 2022 në 17 përqind në vitin 2100, ndërsa pjesa e atyre të moshës 80 vjeç e më lart parashikohet të jetë më shumë se dyfish, nga 6 për qind në 15 për qind.

Piramida e popullsisë së BE-së

Në vitin 2022, piramida e popullsisë së BE-së tregon tashmë formën e lidhur me jetëgjatësinë e gjatë, normat e ulëta të vdekjeve dhe normat e ulëta të lindjeve.

Përqindjet më të larta të popullsisë përbëhen nga njerëz në moshë pune mbi 50 vjeç, ndërsa përqindjet e të rinjve nën 20 vjeç janë dukshëm më të vogla.

Piramida për vitin 2100 tregon qartë zhvillimin drejt një shoqërie në tkurrje dhe në plakje: ulja e përqindjeve të fëmijëve dhe të rinjve nën 20 vjeç dhe atyre në moshë pune kompensohen vetëm pjesërisht nga rritja e përqindjeve të atyre të moshës 65 ose më shumë. Ndryshe nga viti 2022, piramida nuk fillon të tkurret pas moshës 55 vjeç, por mbetet relativisht e qëndrueshme deri në rreth 85 vjet.

Në krye të piramidës së parashikuar për vitin 2100, grupmosha 100 vjeç ose më shumë bëhet më e gjerë, me gratë e moshës 100-vjeçare ose më shumë që parashikohen të përfaqësojnë 0,3 për qind të popullsisë totale në 2100 kundrejt 0,02 për qind në vitin 2022.

TRT Balkan