Në protestat kundër reformës së diskutueshme të pensioneve të mbajtura në mbarë vendin më 1 maj në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve në Francë, u plagosën 406 policë dhe të paktën 200 civilë dhe protestues.
Dje në shumë qytete të vendit si Lille, Tulluz, Lyon, Nantes, Rennes dhe Marsej si dhe në kryeqytetin Paris të Francës u mbajtën protesta masive kundër reformës për zgjatjen me 2 vjet të moshës së pensionit.
Observatori "Street-Medics", i cili ofron ndihmën e parë për të plagosurit, ka theksuar se në protesta janë plagosur rreth 200 persona, 30 prej të cilëve rëndë dhe se në mesin e të plagosurve ka edhe civilë që nuk morën pjesë në protesta.
Gjithashtu, observatori "Street-Medics" theksoi se numri i të plagosurve mund të rritet dhe mbi 2 mijë persona janë prekur nga gazi lotsjellës i hedhur nga policia.
Kundërshtime mes sindikatës dhe ministrisë
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, njoftoi në kanalin francez BFMTV se në protesta u arrestuan 540 persona, 305 prej të cilëve në Paris.
Ai tha se u plagosën 406 forca policore dhe të xhandarmërisë që ndërhynë ndaj protestave.
Sindikata e Përgjithshme e Punës (CGT), një nga federatat më të mëdha të punës në vend, tha se në protestat e mbajtura më 1 maj në 310 pika të ndryshme në të gjithë Francën morën pjesë rreth 2,3 milionë persona.
Ndërsa Ministria e Brendshme njoftoi se numri pjesëmarrës në gjithë vendin është 782 mijë.
Në videot në median sociale, shihet se forcat e sigurisë ndërhyjnë ashpër ndaj të pranishmëve në shesh përfshirë gazetarët pasi flakët e molotovit që disa protestues hodhën ndaj policisë që ndërhynte u përhapën edhe mbi një punonjës policie.
Theksohet se me ndërhyrjen e policisë u plagosën shumë gazetarë.
Reforma e pensioneve
Protestat masive filluan më 16 mars pasi qeveria e Francës mori vendim për të miratuar pa votim në Parlament projektligjin i cili përfshin rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç.
Në shumë pjesë të vendit u shënuan ngjarje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë e cila kryen ndërhyrje të ashpër ndaj protestuesve. Në protestat e mbajtura në gjithë vendin që nga 16 marsi e deri më tani janë arrestuar mbi 1.000 persona.
Këshilli Kushtetues të cilit opozita dhe qeveria iu drejtuan për të përcaktuar nëse reforma është ose jo në përputhje me kushtetutën, miratoi projektligjin që rrit moshën e pensionit në 64 vjeç dhe rrëzoi tërësisht ose pjesërisht 6 pikat.
Projektligji në fjalë u botua në "Gazetën Zyrtare" pasi u nënshkrua nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.