Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, tha se do t'i gjejnë të gjithë personat që kanë lidhje me sulmin terrorist në Moskë.
Në një fjalim të mbajtur në mbledhjen e Ministrisë së Brendshme të Rusisë në Moskë, Putin foli lidhur me sulmin terrorist më 22 mars në sallën e koncerteve në Moskë.
Ai nënvizoi se çështja e emigrantëve të paligjshëm në Rusi ka rëndësi.
"Ndonjëherë ndodhemi përballë grupeve që kryejnë këto lloj krimesh dhe ndonjëherë përballë organizatave të vërteta kriminale. Në shumicën e rasteve ka një strukturë përtej kufijve dhe që punojnë krah për krah me shërbimet e huaja sekrete", tha Putin.
Sipas tij, sulmi terrorist nuk duhet të drejtohet ndaj grupeve të ndryshme etnike në Rusi.
"Është e papranueshme të përfitohet nga ngjarja tragjike (sulmi terrorist në Moskë) për të nxitur mosmarrëveshje etnike, ksenofobinë, antimyslimanizëm (islamofobinë) dhe gjëra të ngjashme me këto", tha Putin.
"Duhet të kapen të gjithë autorët, përfshirë edhe ata që ndodhen pas sulmit. Për ne është e rëndësishme të zbulojmë të gjitha unazat e zinxhirit, përfshirë autorët dhe ata që kanë përfituar nga ky krim. Patjetër do t'i gjejmë të gjithë", tha presidenti rus.
Sulmi terrorist në Moskë
Mbrëmjen e 22 marsit persona të armatosur kryen sulm terrorist në sallën e koncerteve "Crocus City Hall" në Moskë.
Në pamjet e ndara në mediat sociale, shihej se agresorët hapnin zjarr me armë automatike pa dallim ndaj të pranishmëve në sallë.
Numri i viktimave nga sulmi terrorist u rrit së fundmi në 144.
Lidhur me sulmin u arrestuan 10 persona.