Putin: Rusia nuk e konsideron veten armike të Perëndimit     Foto: AA

Rusia nuk e ka konsideruar dhe nuk e konsideron veten armik të Perëndimit, tha sot presidenti rus Vladimir Putin. Duke folur në një takim të Klubit Ndërkombëtar të Diskutimit Valdai në Moskë, Putin tha se ngjarjet e fundit globale çuan në ndryshime fundamentale në arenën ndërkombëtare dhe Perëndimit do t’i duhet të fillojë një bisedë të barabartë për një të ardhme të përbashkët në çështjet botërore, duke shtuar: sa më shpejt, aq më mirë”. Putin tha gjithashtu se Perëndimi aktualisht po përpiqet të zëvendësojë ligjin ndërkombëtar me një “rend të bazuar në rregulla” që është krijuar për t’i dhënë atij një mundësi për të jetuar pa rregulla fare. Për të ruajtur dominimin e tij, Perëndimi po ndjek një politikë “të përgjakshme dhe të pistë”, duke mohuar sovranitetin e vendeve dhe popujve, vazhdoi ai. Ideologjia bazë perëndimore, liberalizmi, ka ndryshuar përtej njohjes, në një pikë absurditeti, ndërsa pikëpamjet alternative janë deklaruar kërcënime për demokracinë, tha ai. Ai shtoi se SHBA-ja nuk mund t’i ofrojë botës asnjë agjendë pozitive, por vetëm dominimin e saj. “Rusia nuk e ka konsideruar veten dhe nuk e konsideron veten armike të Perëndimit. Rusia u përpoq të ndërtojë marrëdhënie me Perëndimin dhe NATO-n, me të njëjtin mesazh: Le të jetojmë së bashku në miqësi”, tha ai. Putin theksoi se Rusia nuk ka plane të bëhet vetë një hegjemon, përkundër “krizës doktrinale të modelit neoliberal të rendit botëror amerikan”. Diktatura në çështjet botërore mund të kundërshtohet vetëm nga zhvillimi i vendeve dhe popujve, si dhe “lulëzimi i kompleksitetit të kulturave dhe traditave”, shtoi Putin.

AA