Putin: Rusia nuk ka pasur kurrë për qëllim të sulmojë NATO-n      / Foto: AA Arkiv / Photo: AA Archive

Presidenti rus Vlladimir Putin ka deklaruar se Moska nuk ka pasur kurrë për qëllim të sulmojë vendet e NATO-s.

Duke folur në një takim me Bordin e Zgjeruar të Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, presidenti Putin tha se tema e “kërcënimit rus” po promovohet nga ShBA-ja për të ruajtur “statusin e zotërisë” në kontinentin evropian.

Sipas presidentit rus, ShBA-ja ishte e shqetësuar për afrimin e Rusisë me Evropën dhe filloi të promovojë temën e “kërcënimit rus”, megjithëse Moska nuk ka pasur kurrë synime të tilla.

Përkundrazi, theksoi Putini, NATO-ja në kundërshtim me premtimet e liderëve të saj është duke u afruar gjithnjë e më shumë me kufijtë rusë dhe tani është në “gardhin e saj”.

Ai theksoi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është i papranueshëm për Rusinë në çdo periudhë kohore.

"Nga pikëpamja e perspektivës historike dhe e interesave strategjike të shtetit rus, edhe pas 10, edhe pas 15 vitesh, kjo është e papranueshme”, tha ai.

Putin gjithashtu theksoi se Rusia me dekada të tëra ishte përpjekur të ndërtojë marrëdhënie fqinjësore me Ukrainën, por Perëndimi duke përdorur nacionalistët e “mposhti” Rusinë në vitin 2014 dhe “dy kombe vëllazërore” i çoi në luftë.

“Në vitin 2014 bënë një grusht shteti dhe kaq… vazhduan me këtë paligjshmëri. Epo, thjesht na detyruan t’i përgjigjemi kësaj indinjate”, tha ai.

Më tej, Putin argumentoi se “do të kishte pasur një masakër në Krime nëse Moska nuk do ta kishte njohur referendumin për ribashkimin me Rusinë, të mbajtur në gadishull pas grusht shtetit në Kiev në vitin 2014”.

Presidenti rus tha se edhe pas grusht shtetit situata në Ukrainë mund të ishte zgjidhur në mënyrë paqësore nëse Perëndimi do të kishte zbatuar Marrëveshjen e Minskut, por sipas tij, liderët e Gjermanisë dhe Francës, të cilët hynën si garantues të zbatimit të Marrëveshjes së Minksut në vitin 2014, më vonë zbuluan se marrëveshja ishte e nevojshme vetëm për t’i dhënë kohë Ukrainës për t’u përgatitur për luftë kundër Rusisë.

“I vetmi garantues, e kam thënë tashmë këtë, garantuesi i vetëm i sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës ishte Rusia. Vendet e tjera, mbi të gjitha ShBA-ja, po përdornin Ukrainën për interesat e tyre”, theksoi ai.

Siç tha ai, ushtria ruse po përshtatet shpejt me realitetet e reja. Ai shtoi se industria e mbrojtjes arriti të rrisë shpejt prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

“Niveli i armëve dhe pajisjeve moderne në forcat bërthamore strategjike në tërësi është arritur në 95 për qind dhe komponenti detar në pothuajse 100 për qind. Është e nevojshme të vazhdohet të ruhet në maksimum gatishmëria ushtarake luftarake e forcave strategjike. Të gjitha planet e miratuara në këtë fushë sigurisht që do të realizohen”, tha Putin.

AA