Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian u takuan për herë të parë në Ashgabat, kryeqytetin e Turkmenistanit, dhe diskutuan çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Sipas deklaratës së bërë nga Kremlini, takimi mes Putinit dhe Pezeshkianit që nisi me pjesëmarrjen e delegacioneve, ka vazhduar ballë për ballë.
Duke folur në pjesën e hapur për shtyp të takimit, Putin deklaroi se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Iranit janë përmirësuar dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe është rritur këtë vit.
Putin vuri në dukje se kanë zhvilluar punime në fushën ndërkombëtare me Iranin dhe shtoi: "Vlerësimet tona për ngjarjet botërore janë shpesh shumë afër njëra-tjetrës, madje përputhen. Sot ne do të diskutojmë këtë".
Duke theksuar se Irani është anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe BRICS-it, Putin deklaroi se planifikon të ketë një takim të veçantë me Pezeshkianin në kuadër të Samitit të BRICS-it që do të mbahet më 22-24 tetor në Kazan, kryeqytetin e Republikës Ruse të Tatarstanit.
Në anën tjetër, bëhet e ditur se Putin ka zhvilluar një bisedë në këmbë me presidentin pakistanez Asif Ali Zardari dhe ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe.
- Pezeshkian: "Pozicionet tona në botë janë shumë më afër njëri-tjetrit se të tjerët"
Sipas deklaratës me shkrim nga presidenca iraniane lidhur me takimin, thuhet se Pezeshkian ka shprehur kënaqësinë për mundësinë e takimit me homologun rus dhe i ka cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si "të sinqerta dhe strategjike".
Pezeshkian ka kërkuar përshpejtimin e procesit të bashkëpunimit të zhvilluar mes Iranit dhe Rusisë, duke theksuar se dy vendet kanë kapacitetet "reciproke dhe plotësuese" dhe se mund të ndihmojnë njëri-tjetrin në këtë çështje. "Pozicionet tona në botë janë shumë më afër njëri-tjetrit se të tjerët", ka shtuar ai.
Presidenti iranian Pezeshkian ka thënë se shpresojnë që në Samitin e BRICS-it të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit strategjik afatgjatë mes dy vendeve.
Duke iu referuar agresionit të Izraelit në rajon, presidenti iranian ka thënë se agresioni i Izraelit i cili vazhdon pa respektuar asnjë rregull të së drejtës ndërkombëtare, shkakton kriza në rajon.