Putin: Türkiye është partneri më i besueshëm i Rusisë në sektorin e gazit       / Foto: AA

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, ka deklaruar se që nga kufizimet e Perëndimit për blerjen e energjisë së lirë nga Moska, Türkiye është shfaqur si “partneri më i besueshëm” në sektorin e gazit.

“Ata vazhdimisht thoshin se Rusia nuk ofron (energji), por kufizon. Ne nuk kufizojmë asgjë, ne japim gjithçka. Türkiye u tregua partneri më i besueshëm. Ajo kalon përmes Rrjedhës Turke”, tha Putin në një intervistë për ‘Rossiya-1 TV’.

Putin theksoi se Perëndimi shpresonte se Rusia do të shembet nëse nuk blejnë gaz nga vendi i tij, duke shtuar se kjo qasje kishte një ndikim në ekonomitë perëndimore dhe jo në Moskë.

“Industria po kalon në vende të tjera, përfshirë ShBA-në, ku janë krijuar kushte më të favorshme dhe ku burimet e energjisë janë më të lira. Sepse ato duhet të lëngëzohen përpara se të transportohen përtej oqeanit, pastaj të kthehen përsëri në gaz. E gjithë kjo rrit kostot”, tha Putin.

Ai shtoi se sektori joenergjetik i ekonomisë ruse po zgjerohet me ritme shumë më të shpejta se më parë dhe se po përballet me refuzimin e Evropës për të blerë gazin rus duke iu drejtuar burimeve alternative të energjisë.

“Ne po fillojmë të punojmë më shumë për gazifikimin tonë, për përdorimin e këtyre burimeve energjetike për të zgjidhur problemet e brendshme ekonomike, jo vetëm në sistemin e banesave dhe shërbimeve komunale, por edhe për ekonominë dhe industrinë”, tha ai.

Presidenti rus pohoi se autoritetet gjermane aktualisht janë të zënë me beteja të brendshme politike, pasi politika aktuale e Berlinit po shkakton “dëm kolosal” në të ardhmen e ekonomisë së saj.

Ai beson se ekonomia gjermane po humbet konkurrencën, megjithatë sipas tij, ajo “mbetet e qëndrueshme dhe e aftë të ekzistojë dhe të zhvillohet për një kohë të gjatë”.

TRT Balkan / agjencitë