Linja ajrore ‘Qazaq Air’ ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të fluturimeve, duke përmendur si arsye shqetësimet e sigurisë pas përplasjes së aeroplanit të pasagjerëve ‘Azerbaijan Airlines’ në qytetin Aktau
Linja ajrore ‘Qazaq Air’ e Kazakistanit ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të fluturimeve nga kryeqyteti Astana drejt qytetit rus Yekaterinburg, duke përmendur si arsye shqetësimet e sigurisë pas përplasjes së fundit të aeroplanit të pasagjerëve ‘Azerbaijan Airlines’ në qytetin Aktau.
"Qazaq Air ka vendosur të pezullojë fluturimet në linjën Astana-Yekaterinburg nga 28 dhjetori 2024 deri më 27 janar 2025, duke e bërë prioritet sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit bazuar në një vlerësim të vazhdueshëm të rrezikut", tha kompania ajrore.
Fluturimet për në Omsk dhe Novosibirsk, të dyja qytete në Siberi, do të vazhdojë kur të plotësojnë standardet e sigurisë. Linja drejt qytetit Yekaterinburg, sipas kompanisë, mund të vazhdojë pas një ri-vlerësimi.
Të mërkurën, kompania ajrore ‘Azerbaijan Airlines’ po fluturonte me 67 persona në bord nga kryeqyteti Baku i Azerbajxhanit drejt qytetit Grozny të Republikës Çeçene të Rusisë, kur u rrëzua tri kilometra nga qyteti Aktau, i vendosur në brigjet e Detit Kaspik në Kazakistan.
Zyrtarët në Kazakistan thanë se 38 persona humbën jetën në përplasjen e aeroplanit, ndërsa 29 mbijetuan.
Autoritetet e Azerbajxhanit dhe Kazakistanit filluan një hetim për incidentin.
Dje, zyrtarë të lartë të Azerbajxhanit konfirmuan për Anadolu se rrëzimi ishte shkaktuar nga një sistem raketor rus.
Por autoriteti i aviacionit civil rus ‘Rosaviatsia’ tha se rrëzimin duket se e ka shkaktuar një goditje nga një tufë e zogjve që e çuan avionin të devijojë në Aktau. Avioni ishte nisur nga Baku për në Grozny, por doli nga kursi mbi Detin Kaspik përpara rrëzimit.
Autoritetet e Kazakistanit dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, apeluan për përmbajtje nga spekulimet, duke theksuar se moti i keq mund të ketë luajtur një rol në devijimin e fluturimit.
Rrëzimi ndodhi mes aktivitetit të shtuar të mbrojtjes ajrore ruse që shënjestronte dronët ukrainasë në rajon. Të dhënat publike të fluturimit tregojnë bllokimin e GPS-it në zonë, duke çuar në pyetje të tjera. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti se përfundimet duhet të presin hetimin zyrtar.