Kabineti i Gjermanisë miratoi të mërkurën një projektligj të shumëpritur për të modernizuar ligjin e shtetësisë së vendit.
Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin, Ministrja e Brendshme Nancy Faeser tha se legjislacioni i propozuar do të thjeshtojë procesin e natyralizimit dhe do të mundësojë shtetësinë e shumëfishtë për emigrantët.
“Ne po prezantojmë një projektligj modern të imigracionit i cili do t'i shërbejë më mirë vendit tonë modern dhe të larmishëm. Ligji i ri i kombësisë është një nga reformat më të rëndësishme të qeverisë sonë të koalicionit. Jam shumë e kënaqur që tani po e zbatojmë këtë”, tha ajo.
Faeser tha se reforma ishte thelbësore për të tërhequr punëtorë shumë të kualifikuar nga jashtë dhe për të siguruar konkurrencën e kompanive gjermane.
“Ne jemi në mes të një gare globale për mendjet më të ndritura. Ne kemi nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar në shumë fusha të ekonomisë sonë. Por, ne do të tërheqim mendjet më të mira vetëm nëse ata mund të bëhen plotësisht pjesë e shoqërisë sonë”, tha ajo.
Sipas projektligjit të propozuar, emigrantët do të kenë të drejtën e nënshtetësisë gjermane pas pesë vitesh qëndrimi në vend, në vend të tetë viteve aktuale.
Për emigrantët që kanë treguar arritje të spikatura akademike ose profesionale dhe kanë aftësi të mira gjuhësore, kjo periudhë do të reduktohet në tri vjet.
Projektligji gjithashtu do t'u mundësojë emigrantëve të kenë shtetësi të dyfishtë ose shtetësi të shumëfishtë, gjë që aktualisht nuk është e mundur për shumicën e emigrantëve.
Fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër të huaj do të mund të marrin nënshtetësinë gjermane nëse të paktën njëri prej prindërve ka jetuar ligjërisht në vend për të paktën pesë vjet. Këta fëmijë do të mund të mbajnë edhe shtetësinë e prindërve të tyre.
Aktualisht mbi 12 milionë njerëz në Gjermani – rreth 14% e popullsisë së përgjithshme – nuk kanë shtetësi gjermane. Rreth 5,3 milionë prej tyre kanë jetuar në vend për të paktën 10 vjet, sipas shifrave zyrtare.