Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, të enjten deklaroi se vendi i tij “nuk do të lejojë më kurrë dëbime të detyruara.”
Gjatë fjalimit për Gjendjen e Kombit në parlament, presidenti trajtoi çështjet e tokës si dhe krizën në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.
“Njerëzit e këtij vendi e njohin dhimbjen e dëbimeve të detyruara. Prandaj, nuk do të lejojmë më kurrë që ato të ndodhin,” theksoi presidenti.
Ai nënvizoi se Afrika e Jugut synon të jetë një komb ku “të gjithë njerëzit gëzojnë vlerë dhe mundësi të barabarta,” një vend ku “sundimi i ligjit mbrohet dhe respektohet.”
Sipas Ramaphosës, Afrika e Jugut duhet të qëndrojë “e bashkuar si komb, veçanërisht tani kur po përballemi me sfida të ashpra globale.”
Duke theksuar nevojën e vendit për zgjidhje të brendshme për çështje të brendshme, ai tha: “Nuk është koha që ndonjëri prej nesh të vrapojë në vende të huaja për të paraqitur ankesa për çështje që mund t’i zgjidhim vetë në vendin tonë.”
Javën e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump nxori një urdhër ekzekutiv për ngrirjen e të gjithë ndihmës financiare të ShBA-së për Afrikën e Jugut, duke përmendur ligjin e ri për shpronësimin e tokës dhe padinë e vendit kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Me këtë legjislacion, Afrika e Jugut synon të adresojë pabarazitë e mëdha në pronësinë e tokës, të trashëguara nga kolonizimi dhe sundimi i pakicës së bardhë.
Ramaphosa gjithashtu përshëndeti samitin e përbashkët të Komunitetit të Zhvillimit të Afrikës Jugore (SADC) dhe Komunitetit të Afrikës Lindore (EAC) në Tanzani, i cili ra dakord për një dialog të drejtpërdrejtë midis të gjitha palëve shtetërore dhe joshëtetërore, përfshirë rebelët e M23.
Ai tha se ky samit përvijoi “masa për ndërtimin e besimit drejt një paqeje të qëndrueshme, e cila përfundimisht do të çojë në tërheqjen e trupave të SADC-it.”