Sipas raportit të Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA), numri i hetimeve të krimit të organizuar u rrit nga 594 në 696 në vitin 2021.     Foto: AA

Numri i procedimeve hetimore kundër bandave kriminale është rritur jashtëzakonisht, tha ministri i brendshëm i Gjermanisë.
“Ne kemi një numër rekord hetimesh”, tha Nancy Faeser në një konferencë shtypi në Berlin të mërkurën, ndërsa prezantoi një raport vjetor mbi krimin e organizuar në Gjermani.
Sipas raportit të Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA), numri i hetimeve të krimit të organizuar u rrit nga 594 në 696 në vitin 2021, që përfshinte tregtinë e drogës, dhunën, krimet ekonomike dhe kibernetike.
Të paktën 7.503 të dyshuar u arrestuan, nga 6.529 në vitin 2020, sipas raportit. Rreth 7.5 për qind e të dyshuarve ishin të armatosur.
Një nga arsyet e shtimit të hetimeve ishte informacioni i marrë nga policia për kriminelët, pas hakimit të rrjetit sekret të komunikimit të EncroChat.
Dëmi ekonomik
Policia në Holandë dhe Francë gjeti më shumë se 20 milionë mesazhe sekrete në vitin 2020, dhe si rezultat i kësaj në Gjermani u arrestuan shumë shpërndarës droge.
Dëmi ekonomik i shkaktuar nga grupet e krimit të organizuar në Gjermani është rritur ndjeshëm vitin e kaluar dhe ka arritur në rreth 2.2 miliardë dollarë (2.2 miliardë euro). Për krahasim, shifra e vitit të kaluar ishte rreth 837 milionë dollarë (837 milionë euro).
Sipas BKA-së, fakti që numri i krimeve të mashtrimit u rrit ndjeshëm vitin e kaluar tregon se sa shpejt reagojnë disa banda kriminale ndaj mundësive të reja për të kryer krime.
Rastet e krimit të organizuar, të cilat lidhen me pandeminë e koronavirusit, u trefishuan në vitin 2021, krahasuar me një vit më parë.
Kjo rritje ishte kryesisht për shkak të aplikimit të paligjshëm për përdorimin e ndihmës urgjente të koronavirusit nga qeveria federale.

AA