Rritja e nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike mund të zhvendosë përgjithmonë deri në 20 milionë njerëz deri në vitin 2100, sipas një raporti të publikuar nga Ekspertët Mesdhetarë për Ndryshimet Klimatike dhe Mjedisore (MedECC).
Rrjetet e transportit dhe vendet e trashëgimisë kulturore janë gjithashtu në rrezik të lartë, sipas raportit të paraqitur në COP29. Për shembull, rajoni është shtëpia e tre nga 20 aeroporteve në botë më të rrezikuar nga përmbytjet bregdetare.
“Deti Mesdhe është një burim krenarie e madhe për 22 vendet që kufizojnë brigjet e tij, një pjesë e pandashme e identitetit dhe trashëgimisë së tyre”, tha Menaxherja e Projektit të Unionit për Mesdheun për Energjinë dhe Veprimin Klimatik Ines Duarte.
“Por, është koha të pranojmë se Mesdheu, siç e njohim ne, mund të mos jetë më gjatë nëse përpjekjet tona për të luftuar ndryshimet klimatike vazhdojnë të dështojnë.”
Vetëm disa javë pas përmbytjeve shkatërruese në rajonin e Valencias të Spanjës, të cilat vranë më shumë se 220 njerëz, raporti informoi se bregdeti i Mesdheut është ndër rajonet e botës me probabilitetin më të lartë të përmbytjeve të përbëra, të cilat përfshijnë një kombinim të stuhive, baticave të larta dhe rrëkeve me shi dhe prurje lumore të ngritura.
Megjithatë, ndryshimi i klimës dhe rritja e popullsisë në zonat e cenueshme vetëm do të përkeqësojnë ndikimet e përmbytjeve, zbuluan autorët e raportit.
Nga fundi i shekullit, niveli i detit në gjithë bregun mund të rritet me një metër.
Në të njëjtën kohë, ngjarjet ekstreme të nivelit të detit që ndodhin një herë në 100 vjet ka të ngjarë të rriten me të paktën 10% deri në vitin 2050 dhe 22% deri në vitin 2100.
Përtej përmbytjeve katastrofike, valët e të nxehtit detar gjithashtu pritet të bëhen një sfidë në rritje për rajonin, i cili po nxehet më shpejt se mesatarja globale. Gjatë dy dekadave të fundit, ato tashmë janë rritur në frekuencë dhe kohëzgjatje përkatësisht me 40% dhe 15%.
Sipas raportit, Mesdheu është gjithashtu një nga zonat më të ndotura nga plastika në botë.
Deri në vitin 2040, rrjedhja e plastikës në det ka të ngjarë të dyfishohet nëse prodhimi vjetor i plastikës vazhdon të rritet me të njëjtin ritëm dhe menaxhimi i mbetjeve nuk përmirësohet rrënjësisht, zbuloi MedECC-i.
Si destinacioni kryesor turistik në botë, Mesdheu gjithashtu përballet me sfidën e mungesës së ujit gjatë muajve të pikut të verës. Raporti i bën thirrje sektorit të turizmit të kalojë në praktika më rrethore dhe më të gjelbra.
“Përpjekjet për të miratuar masa efektive zbutëse dhe përshtatëse janë ende të pamjaftueshme për të promovuar të ardhme të dëshirueshme dhe të jetueshme”, përfundon raporti, duke bërë thirrje për më shumë bashkëpunim ndërkufitar dhe shtigje zhvillimi rezistente ndaj klimës.