Rusia akuzon Perëndimin dhe Ukrainën për ndalimin e furnizimit me gaz në Evropë. / Foto: AA

Rusia akuzoi Perëndimin, veçanërisht ShBA-në dhe disa autoritete evropiane, si dhe Ukrainën, duke i cilësuar si përgjegjës për vendimin për ta ndaluar furnizimin me gaz rus në Evropë përmes Ukrainës, transmeton Anadolu.

Të mërkurën, një marrëveshje pesëvjeçare midis Moskës dhe Kievit për transitin e gazit rus përmes Ukrainës skadoi, ndërsa Ukraina refuzoi të zgjaste marrëveshjen në mes të luftës së vazhdueshme midis dy vendeve, e cila filloi më 24 shkurt 2022.

Zyrtarët ukrainas janë shprehur se Kievi nuk do ta zgjasë marrëveshjen me Rusinë ndërsa presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se ata nuk do të lejojnë Moskën të "fitojë miliarda shtesë" në mes të luftës në vazhdim.

Ndërkohë, në fillim të muajit të kaluar, presidenti rus Vlladimir Putin e përshkroi marrëveshjen si "histori e qartë", por shtoi se gjiganti rus i energjisë Gazprom "do të mbijetojë" pavarësisht skadimit të marrëveshjes.

Në një deklaratë me shkrim nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, thuhet se Ukraina refuzoi të zgjaste marrëveshjen pavarësisht se Gazprom përmbush detyrimet e saj kontraktuale sipas marrëveshjes.

"Ky veprim për ta ndërprerë furnizimin me burim rus të energjisë që është konkurrues dhe miqësor ndaj mjedisit, zvogëlon potencialin ekonomik të Evropës dhe ndikon rëndë në cilësinë e jetës për qytetarët evropianë", tha Zakharova.

Ajo argumentoi se konteksti gjeopolitik pas vendimit të Ukrainës për të mos zgjatur marrëveshjen bazohet në faktin se SHBA-ja është "përfituesi kryesor i rishpërndarjes së tregut të energjisë në Evropë si dhe sponsori kryesor i krizës ukrainase".

Zakharova më tej argumentoi se Gjermania është shteti i parë që ndikohet nga kjo, pasi Berlini bleu gaz natyror me "çmime dukshëm më të larta" pas shpërthimeve të gazsjellësit "Rrjedha Veriore" (Nord Stream) në shtator 2022.

"Gjermania duhej të mbyllte disa nga objektet e saj kryesore dhe legjendare të prodhimit. Tani shtetet e tjera që dikur ishin pjesë e Bashkimit Evropian ekonomikisht të lulëzuar dhe të pavarur do të vuajnë pasojat e sponsorizimit të ShBA-së", tha Zakharova.

Ajo më tej tha se përgjegjësia për ndalimin e furnizimit me gaz rus në Evropë bie tërësisht te ShBA-ja, Ukraina dhe autoritetet evropiane që "zgjodhën mbështetjen financiare për ekonominë amerikane në vend të mirëqenies së qytetarëve të tyre".

TRT Balkan / agjencitë