Rusia arreston për spiunazh gazetarin amerikan të WSJ-së / Photo: AA

Rusia ka ndaluar shtetasin amerikan Evan Gershkovich, korrespondent i "The Wall Street Journal", nën dyshimin për spiunazh.

Agjencia shtetërore e lajmeve TASS raporton se Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) njoftoi se ka "penguar aktivitetet e paligjshme të Evan Gershkovichit, një shtetas amerikan i lindur në vitin 1991, i cili dyshohet se ka spiunuar në interes të qeverisë amerikane".

"Është konstatuar se Evan Gershkovich, duke vepruar me kërkesë të palës amerikane, mblodhi informacione që përbënin një sekret shtetëror lidhur me aktivitetet e një prej ndërmarrjeve të kompleksit ushtarako-industrial rus.

I huaji u ndalua në Yekaterinburg, teksa po përpiqej të sigurojë informacione të klasifikuara", tha FSB-ja.

Në raport theksohet se hetuesit kanë nisur ndjekje penale kundër shtetasit amerikan sipas nenit 276 të Kodit Penal të Rusisë (spiunazhi).

Ajo që po bënte ai "nuk ka të bëjë me gazetarinë"

Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, prania e Gershkovichit në Yekaterinburg ishte e dyshimtë.

Ajo theksoi se ajo që po bënte ai "nuk ka të bëjë me gazetarinë".

"Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që statusi i një korrespondenti të huaj, viza gazetareske dhe akreditimi përdoren nga të huajt në vendin tonë për të mbuluar aktivitete që nuk janë gazetari.

Ky nuk është perëndimori i parë i njohur që po kapet në flagrancë", tha Zakharova.

Gjithashtu, edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për media në Moskë tha se Gershkovich u kap në "flagrancë".

Ai tha se nuk ka pengesa për punonjësit e "The Wall Street Journal" që të kryejnë "veprimtari normale gazetareske".

E përditshmja amerikane "The Wall Street Journal" komentoi ndalimin e Gershkovich-it, duke theksuar se i "mohon fuqishëm" akuzat kundër tij, si dhe bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

ShBA-ja e shqetësuar për arrestimin e gazetarit

Shtetet e Bashkuara shprehën të enjten shqetësimin e thellë për arrestimin e gazetarit amerikan të The Wall Street Journal nga Rusia me akuza për spiunazh.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga raportet shqetësuese se Evan Gershkovich, një shtetas amerikan, është arrestuar në Rusi”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

“Targetimi i qytetarëve amerikanë nga qeveria ruse është i papranueshëm. Ne dënojmë ndalimin e Gershkovich me termat më të ashpër”, shtoi ajo.

Deklarata dënoi gjithashtu "shënjestrimin dhe shtypjen e vazhdueshme të qeverisë ruse ndaj gazetarëve dhe lirisë së shtypit" dhe përsëriti paralajmërimin e tyre për amerikanët që "të mos udhëtojnë në Rusi".

TRT Balkan / agjencitë