Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Andrey Belousov, dhe ministri i Koresë së Veriut, No Kwang Chol, diskutuan për bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve.
Sipas deklaratës së bërë nga Ministria ruse e Mbrojtjes, Belousov në kuadër të vizitës së tij në Phenian, kryeqytetin e Koresë së Veriut u takua me ministrin e Mbrojtjes, No Kwang Chol.
Në deklaratën e tij në fillim të takimit, Belousov tha se Koreja e Veriut është një vend mik.
"Ndërveprimi i besueshëm mes liderëve të dy vendeve luan një rol kyç në forcimin e marrëdhënieve Rusi-Kore e Veriut. Marrëdhëniet dypalëshe po zhvillohen në çdo fushë, përfshirë dhe bashkëpunimin ushtarak".
Belousov tërhoqi vëmendjen se në muajin qershor mes Rusisë dhe Koresë së Veriut u nënshkrua marrëveshja e partneritetit strategjik.
"Kjo marrëveshje luan një rol stabilizues në Azinë Verilindore, siguron kontribut pozitiv në ruajtjen e ekuilibrit të fuqisë në rajon dhe ul rrezikun e përjetimit sërish të luftës në Gadishullin Korean, përfshirë edhe përdorimin e armëve bërthamore. Marrëveshja në fjalë është baza e sistemit të ri të sigurisë në Euroazi", tha ai.
Ministri rus theksoi se janë pro zbatimit të marrëveshjeve të arritura në nivel të lartë mes dy vendeve.
Ministri i Koresë së Veriut, No Kwang Chol, tha se u kushtojnë rëndësi marrëdhënieve me Rusinë dhe se dëshirojnë t'i forcojnë vazhdimisht këto marrëdhënie.
"Bashkëpunimi ndërmjet Ministrive të Mbrojtjes së dy vendeve po zhvillohet", potencoi No Kwang Chol.