Rusia dhe Koreja e Veriut nënshkruan të mërkurën një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Strategjik, e cila do të shërbejë si bazë për bashkëpunimin e ardhshëm dypalësh, sipas Kremlinit.
Një deklaratë e Kremlinit tha se presidenti rus Vlladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un nënshkruan dokumentin pas disa raundeve bisedimesh.
"Vitin e kaluar, si rezultat i vizitës suaj në Rusi, ne bëmë përparim të rëndësishëm në ndërtimin e marrëdhënieve tona ndërshtetërore. Dhe sot u përgatit një dokument i ri themelor që do të formojë bazën e marrëdhënieve tona afatgjata", tha Putin për marrëveshjen.
Putin kujtoi se miqësia ruso-koreane lindi në kohë të vështira, veçanërisht në vitin 1945, kur ushtarët sovjetikë luftuan "krah për krah" me patriotët koreanë për të çliruar Korenë nga pushtuesit japonezë.
Gjatë Luftës Koreane 1950-1953, pilotët sovjetikë fluturuan me dhjetëra mijëra misione luftarake për të mbështetur ushtarët e Koresë së Veriut.
"Me sa di unë, programi i sotëm përfshin vendosjen e një kurore në Monumentin e Çlirimit të Koresë. Paraardhësit tanë dhanë një bazë solide për zhvillimin e marrëdhënieve tona sot", tha ai.
Ndihmësi i presidentit rus Yuri Ushakov tha më parë se dokumenti i ri do të zëvendësojë disa marrëveshje të mëparshme, duke përfshirë Traktatin e Miqësisë dhe Ndihmës së Ndërsjellë të vitit 1961, Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit të Mirë të Fqinjësisë së vitit 2000 dhe deklaratat e 2000 dhe 2001 nga Moska dhe Pheniani.
Sipas Ushakovit, marrëveshja e re do të pasqyrojë ndryshime të rëndësishme në peizazhin gjeopolitik dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Rusisë dhe Koresë së Veriut.
Ushakov theksoi se dokumenti do të jetë në përputhje me të gjitha parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, nuk do të ketë natyrë konfrontuese dhe nuk do të jetë i drejtuar kundër asnjë shteti, por do të ketë për qëllim sigurimin e një stabiliteti më të madh në rajonin e Azisë Verilindore.