Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka bërë të ditur se vija e mbrojtjes në qytetin Kherson është tërhequr plotësisht në anën e majtë të lumit Dnipro dhe se në anën e djathtë të lumit nuk ka mbetur asnjë njësi ushtarake.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, ndau informacione lidhur me veprimet e trupave ushtarake ruse në luftën Rusi-Ukrainë, duke shpjeguar situatën e fundit me vendimin për tërheqjen e ushtrisë ruse në Kherson.
"Që nga ky mëngjes, njësitë ushtarake ruse kanë përfunduar tërheqjen e tyre në anën e majtë të lumit Dnipro. Në anën e djathtë të lumit nuk ka mbetur asnjë njësi ushtarake", tha Konashenkov.
Më tej, Konashenkov theksoi se gjatë tërheqjes së trupave nuk është regjistruar ndonjë humbje e personelit ose e pajisjeve ushtarake.
Duke bërë të ditur se kanë dhënë mbështetjen e nevojshme për evakuimin e civilëve që kanë mbetur në anën e djathtë të lumit Dnipro, Konashenkov u shpreh se, “Njësitë ushtarake ruse janë vendosur në pozicionet dhe linjat e tyre të mbrojtjes të përgatitura më parë”.
Kherson u aneksua në mënyrë të paligjshme me rajonet Donetsk, Luhansk dhe Zaporizhzhia të Ukrainës me dokumentet që presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi më 30 shtator.