Rusia: Të ndërmeren hapa që ulin tensionet në Lindjen e Mesme / Foto: AA

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, bëri të ditur se nuk e shohin pozitivisht sulmin e mundshëm hakmarrës të ShBA-së ndaj objekteve iraniane dhe tha se "ne besojmë se niveli i tensionit në rajon është jashtëzakonisht shqetësues. Tani është koha për të ndërmarrë hapa që do të ulin tensionin".

Peskov vlerësoi për gazetarët në kryeqytetin Moskë, mundësinë që ShBA-ja të kryejë sulm kundër objekteve të Iranit si hakmarrje për sulmin ndaj bazës amerikane në kufirin siriano-jordanez.

Duke vënë theksin se duhet distancim nga hapat që do të rrisin tensionin, Peskov tha: "Duke pasur parasysh potencialin e lartë për konflikt që shihet në rajon, ne nuk e shikojmë pozitivisht asnjë veprim i cili mund të shkaktojë destabilizimin e situatës, përshkallëzimin e tensioneve".

"Ne besojmë se niveli i tensionit në rajon është jashtëzakonisht shqetësues. Tani është koha për të ndërmarrë hapa për të ulur tensionin. Kjo është e vetmja gjë që mund të na ndihmojë të parandalojmë përhapjen e mëtejshme të konfliktit, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Kjo për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme tani", deklaroi Peskov, duke bërë të ditur se duhet të ndërmerren hapa për uljen e tensionit.

Sipas një deklarate me shkrim të bërë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Joe Biden ishte shprehur se "tre ushtarë amerikanë u vranë në sulmin me mjet ajror pa pilot (dron) ndaj forcave tona të pozicionuara në afërsi të kufirit të Sirisë, në verilindje të Jordanisë".

Nga përgjegjësit e sulmit do të kërkohet llogari në kohën dhe mënyrën që do të zgjedhë ShBA-ja, tha Biden, i cili shtoi se do të vazhdojnë të luftojnë në këtë betejë.

AA