Rusia thotë se do të përgjigjet nëse Ukraina përdor raketat amerikane      / Foto: AA

Kryediplomati rus tha të martën se vendi i tij do t'i përgjigjet Ukrainës për përdorimin e supozuar të raketave balistike amerikane ATACMS me rreze të gjatë veprimi kundër territorit rus, mes pretendimeve të mëparshme nga Moska se ka rrëzuar disa nga raketat mbi një nga rajonet e saj kufitare.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se ka rrëzuar gjashtë nga raketat mbi rajonin e Bryansk.

Nëse vërtetohet, kjo lëvizje do të përfaqësonte sulmin e parë nga Kievi duke përdorur raketat amerikane ATACMS me rreze të gjatë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë 1.000 ditë më parë.

“Nëse raketat me rreze të gjatë lëshohen nga Ukraina në territorin rus, kjo do të thotë se ato kontrollohen nga ekspertë ushtarakë amerikanë. Ne do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”, tha Sergej Llavrov në një konferencë shtypi pas samitit të G20-s në Rio.

Duke shprehur se Rusia rrjedh nga ideja se raketa të tilla nuk mund të përdoren pa pjesëmarrjen e specialistëve ushtarakë amerikanë, Llavrov tha se Moska do ta konsiderojë lëshimin e raketave si një "fazë cilësore të re të luftës së Perëndimit kundër Rusisë".

Llavrov tha se Rusia është rreptësisht e përkushtuar ndaj pozicionit se armët bërthamore janë një mjet për të parandaluar çdo luftë bërthamore, duke treguar se Perëndimi do të njihet me doktrinën e përditësuar bërthamore të Moskës.

“Ajo që presidenti (Vlladimir Putin) shpalli publikisht pak më shumë se një muaj më parë, tashmë është sanksionuar në ligj. Dhe shpresoj që ata (në Perëndim) ta lexojnë këtë doktrinë. Dhe jo si e lexojnë Kartën e OKB-së, duke parë vetëm atë që u nevojitet, por doktrinën në tërësinë dhe ndërlidhjen e saj”, tha Lavrov.

Ai tregoi se nuk e di nëse raportet janë të vërteta në lidhje me lejen e Uashingtonit që Ukraina të përdorë armët e saj me rreze të gjatë për të goditur thellë brenda Rusisë.

“Përditësimi i doktrinës sonë bërthamore nuk prezanton asgjë që Perëndimi nuk e di dhe nuk shton asgjë që do të ndryshonte nga dokumentet doktrinore amerikane se çfarë duhet bërë në lidhje me armët bërthamore”, shtoi ai.

Më herët të martën, Putin nënshkroi një dekret për miratimin e doktrinës së përditësuar bërthamore të Moskës, pothuajse dy muaj pasi ai njoftoi ndryshimet në fjalimin e tij, në konferencën e përhershme dyvjeçare mbi parandalimin bërthamor më 25 shtator.

TRT Balkan / agjencitë