Rusia thotë se ka vendosur kontakte me autoritetet e reja në Siri / Foto: AA

Rusia tha se ka vendosur kontakte me autoritetet e reja në Siri, pasi forcat kundër regjimit pushtuan kryeqytetin Damaskun të dielën pas një avancimi të shpejtë që rrëzoi regjimin e Bashar Asadit.

"Janë vendosur kontakte me komitetin politik, i cili aktualisht po punon në një nga hotelet në Damask", u tha gazetarëve në Moskë të enjten vonë Mikhail Bogdanov, i dërguari special i Rusisë për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Bogdanov tha se autoritetet e reja në Siri u takuan me përfaqësues të trupit diplomatik të Rusisë në hotel dhe se ata gjithashtu janë takuar me personelin e ambasadës ruse në kryeqytet.

I dërguari i posaçëm tha më tej se gjatë diskutimeve, para së gjithash, është folur për garantimin e sigurisë së misionit diplomatik të Rusisë dhe qytetarëve të saj në Siri.

Ai tha gjithashtu se këto kontakte ndërmjet autoriteteve ruse dhe siriane po vazhdojnë në mënyrë konstruktive.

"Shpresojmë që të gjitha premtimet e përfaqësuesve të atyre grupeve, njerëzve, forcave që duhet të jenë përgjegjëse për situatën në qytet do të përmbushen", tha Bogdanov, duke shtuar se kjo do të thotë "parandalim i çdo eksesi", si dhe garantim i sigurisë së misioneve të huaja diplomatike, përfshirë atë të Rusisë.

Bogdanov gjithashtu tha se lufta kundër terrorizmit nuk ka përfunduar ende, veçanërisht kundër grupit terrorist DEASh, si dhe se bazat ushtarake të Rusisë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në kontekstin e luftës së përgjithshme kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Ai shtoi se bazat ushtarake të Rusisë në Siri mbeten dhe se asnjë vendim tjetër nuk është marrë për momentin për të ardhmen e tyre.

Bashar Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e kryeqytetit Damask herët të dielën, duke i dhënë fund sundimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.

AA