Sanksionet e BE-së ndaj Iranit: GRI në listën e organizatave terroriste?

Gjermania dhe BE-ja janë duke shqyrtuar futjen e Gardës Revolucionare të Iranit në listën e organizatave terroriste, sipas ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

“Siç e bëra të qartë javën e kaluar, ne do të lançojmë një pako të mëtejshme sanksionesh. Gjithashtu jemi duke shqyrtuar se si mund ta listojmë Gardën Revolucionare si një organizatë terroriste”, tha Baerbock për transmetuesin publik gjerman ARD.

Andrea Sasse, zëvendëszëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane, u tha gazetarëve në Berlin se Gjermania është në bisedime me partnerët e BE-së për këtë çështje.

Ajo tha se Gjermania mbetet “e hapur ndaj të gjitha opsioneve” për sanksione të mëtejshme ndaj Iranit.

Steffen Hebestreit, zëdhënësi i kancelarit, tha veçmas se Gjermania është "shumë e shqetësuar" për tronditjet e vazhdueshme të sigurisë në Iran.

Irani është tronditur nga protesta që nga mesi i shtatorit pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila u arrestua nga policia e vendit për dyshime se kishte shkelur kodin moral të veshjes.

“Ne dënojmë në mënyrën më të ashpër të mundshëm përdorimin disproporcional të forcës nga forcat iraniane të sigurisë kundër demonstruesve femra dhe meshkuj”, tha Hebestreit.

AA