Vendimet për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë duhet t'i përfshijnë ukrainasit, deklaroi të enjten kancelari gjerman Olaf Scholz.
"Asnjë vendim nuk mund të merret pa ukrainasit. Kjo vlen për ne dhe për të gjithë të tjerët. Duhet të punojmë me ukrainasit për të eksploruar se çfarë është e mundur," tha ai për gazetarët në Bruksel.
Ai e bëri këtë deklaratë gjatë pasigurisë rreth veprimeve të mundshme diplomatike të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, i cili ka theksuar se planifikon të zhvillojë bisedime me presidentin rus Vlladimir Putin për përfundimin e luftës në Ukrainë, pasi të marrë detyrën muajin e ardhshëm.
Kancelari Scholz tha se të mërkurën mbajti një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe disa aleatë të tjerë evropianë, ku diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në konfliktin që po zgjat që nga viti 2022.
"Sot do t'i vazhdojmë bisedimet tona. Kjo është e domosdoshme sepse tani ndodhemi në një situatë shumë të veçantë. Lufta ka zgjatur për një kohë shumë të gjatë," tha ai, duke shtuar se vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet ta shtojnë mbështetjen dhe të sigurojnë që Ukraina të mbetet në një pozicion të fuqishëm.
"Dje shfrytëzova rastin dhe do ta bëj edhe sot, që t'i inkurajoj të gjithë që të rishikojnë se çfarë mund të ofrojnë, qoftë në mbrojtjen kundërajrore, artileri, municione. Gjithçka që i nevojitet Ukrainës për ta ruajtur pavarësinë dhe sovranitetin e saj," tha Scholz.
Lidhur me negociatat e mundshme për paqe, Scholz theksoi se vendet evropiane duhet t'u përmbahen parimeve të qarta, duke nënvizuar se Ukraina duhet të përfshihet në të gjitha vendimet për të ardhmen e saj. Ai theksoi se asnjë diktat nga Moska nuk do të pranohet.
"Po ashtu, nuk duhet të humbasim nga sytë dy detyra të mëdha me të cilat po përballemi dhe që duhet t'i zgjidhim. Së pari, vrasjet duhet të ndalen. Duhet të arrijmë në një situatë ku paqja të jetë e mundur, si dhe gjithashtu duhet të jetë shumë e qartë se nuk duhet të ndodhë një përshkallëzim në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s," përfundoi Scholz.