Avionët luftarakë të ShBA-së dhe Britanisë njoftohet se kanë kryer sulm ajror kundrejt disa pikave në disa qytete të Jemenit.
Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale në Jemen, mësohet se avionët luftarakë të ShBa-së dhe Britanisë kanë kryer sulm ajror kundrejt disa pikave në qytetet Sana, Al-Hudaydah dhe Taiz.
Teksa në lidhje me sulmet nuk u nda ndonjë informacion i detajuar, pamjet lidhur me sulmet ajrore u paraqitën në rrjetet sociale.
Ngjarjet në Detin e Kuq
Pas veprimeve nga grupi Houthi në Jemen në kohët e fundit kundrejt anijeve tregtare në kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza, shumë kompani detare morën vendim të ndalojnë udhëtimet e tyre në Detin e Kuq.
Më 6 dhjetor 2023, Pentagoni njoftoi se kanë zhvilluar bisedime për të krijuar një "Task-Forcë Detare" ndërkombëtare kundër sulmeve të forcave Houthi në Jemen kundrejt anijeve tregtare në Detin e Kuq, ndërsa më 18 dhjetor njoftoi krijimin e një misioni shumëkombësh të emërtuar "Operacioni Mbrojtësi i Prosperitetit".
Sulmet e Houthive vendosën në rrezik kalimin përmes Kanalit të Suezit, që lidh Mesdheun me Detin e Kuq duke ofruar rrugën më të shkurtër mes Evropës dhe Azisë dhe në të cilin kryhet rreth 12 për qind e tregtisë globale, ndërsa sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe vendimet e njëpasnjëshme që u morën nga kompanitë kishin rritur shqetësimet se në ekonomi do të fillonte një "krizë e re e zinxhirit të furnizimit".