Të paktën 93 persona kanë vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pasojë e fatkeqësive të shkaktuara nga uragani Helena.
Ky numër mund të rritet në ditët në vijim pasi qindra raporte për persona të zhdukur janë paraqitur në komunitetet e prekura nga përmbytjet e rënda nga Uragani Helena.
Në rajonet Buncombe, Karolina e Veriut, 600 persona raportohen të zhdukur dhe rrugët e përmbytura vazhdojnë të pengojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) po inkurajon njerëzit që të mos humbasin shpresat, pasi ekipet e shpëtimit po punojnë gjatë gjithë kohës. Prioriteti i FEMA-s është të përpiqet të rivendosë shërbimin e telefonisë celulare në rajon dhe zyrtarët do të aktivizojnë roamingun e fatkeqësive për të gjitha rrjetet e telekomunikacionit.
Më shumë viktima ishin në Karolinën e Veriut (36), e ndjekur nga Karolina e Jugut (25), Xhorxhia (17), Florida (11), Virxhinia (2) dhe Tenesi (2).
Gati 2,2 milionë njerëz janë ende të prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike të shkaktuara nga erërat e forta që varionin nga 72 deri në 225 kilometra në orë dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale.
Presidenti amerikan Joe Biden pritet të vizitojë zonat e katastrofës këtë javë dhe ka miratuar tashmë ndihmën për shtetet që kërkojnë deklarata emergjente.