Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan     Foto:

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, deklaroi se kanë informacione të inteligjencës se Irani së shpejti do të dërgojë qindra dronë, përfshirë edhe të armatosur, në Moskë, për luftën në Ukrainë dhe se do të trajnojë ushtarët rusë për të operuar me dronët.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Sullivan komentoi vizitën e presidentit amerikan Joe Biden në Lindjen e Mesme, e cila fillon sot, dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Duke vënë në dukje se Irani duhet të ndërmarrë hapa të caktuar për marrëveshjen e programit bërthamor, Sullivan tha: "Nuk kemi vendosur një afat kohor për këtë marrëveshje. Marrëveshja është në tryezë. Ne dhe partnerët tanë evropianë e mbështesim atë. Irani duhet të bëjë një hap drejt kësaj marrëveshjeje".
Sullivan shtoi se Rusia nuk ka mundur të arrijë atë që dëshironte dhe se ka probleme me armët.
"Kemi informacione se qeveria iraniane së shpejti do t'i sigurojë Rusisë qindra dronë dhe se në mesin e tyre do të ketë drone të armatosur. Përveç kësaj, ky informacion tregon se Irani do të trajnojë ushtarët rusë për përdorimin e këtyre dronëve dhe ky proces mund të fillojë këtë muaj", tha Sullivan.

AA