Organizata e Kombeve të Bashkuara 15 marsin e ka shpallur si Dita Ndërkombëtare e Luftimit të Islamofobisë me qëllimin për të ndërmarrë "veprim konkret përballë urrejtjes, diskriminimit dhe dhunës në rritje kundër muslimanëve".
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, vitin e kaluar gjatë shpalljes së Ditës Ndërkombëtare të Luftimit të Islamofobisë, tha se gati 2 miliardë myslimanë në mbarë botën "përballen me fanatizëm dhe paragjykim thjesht për shkak të besimit të tyre" dhe se gratë myslimane vuajnë "diskriminim të trefishtë" për shkak të gjinisë, përkatësisë etnike dhe besimit.
“Është një pjesë e pashmangshme e ringjalljes së etno-nacionalizmit, ideologjive supremaciste të bardha neo-naziste dhe dhunës që synon popullsinë e cenueshme, duke përfshirë myslimanët, hebrenjtë, disa komunitete minoritare të krishtera dhe të tjerë”, tha Guterres.
Shtetet ku islamofobia është më e theksuar
Kina, India, Franca, ShBA-ja dhe Mianmari, sipas hulumtimeve të profesorit Khaled Ali Beydoun, nga Fakultetin Juridik i Universitetit Shtetëror "Wayne" në ShBA, janë vendet ku islamfobia është më e theksuar.
Duke cituar studimet e tij, Beydoun tha se më së rëndi është në Kinë, sepse Kina është një qeveri autoritare që praktikon format më të tmerrshme të islamofobisë, siç janë kampet e përqendrimit dhe spastrimi etnik.
“Duke u fokusuar te Islami, ky është një lloj spastrimi etnik që synon të shkatërrojë popullin ujgur nëpërmjet gjenocidit”, thotë Beydoun.
E dyta renditet India në ndjenjat antimyslimane, shton Beydoun. Ai, sqaron se në Indi, e cila ka popullsinë e dytë më të madhe myslimane në botë, regjimi (i kryeministrit Narendra) Modi dhe Partia Bharatiya Janata (BJP) po përdorin supremacinë hindu si një mjet për të shkatërruar myslimanët në vend, dhe këtë e bëjnë në mënyra shumë të tmerrshme,
duke përdorur Ligjin e Shtetësisë (i cili përjashton myslimanët), ndalimin e shamisë ose uzurpimin e shtetësisë së myslimanëve".
Profesori Beydon, Francën e rendit të tretën sa i përket shkallës së islamofobisë në botë.
"Unë do të thosha se Franca është e treta, sepse Franca ka paraqitur një lloj modeli i cili sikur është bërë si modeli perëndimor se si të shtypen dhe margjinalizohen myslimanët me anë të ligjit. Ne e shohim këtë në mënyrë më të habitshme në politika të tilla si ndalimi i shamisë. Franca promovon lirinë e besimit të myslimanëve, ndërsa shkakton dëm me politikat e saj të zgjeruara, duke përfshirë shaminë", thotë ai.
Profesori tha gjithashtu se, pas Francës, vendi ku ndihet më shumë ndjenja antimyslimane është ShBA-ja. "ShBA-ja është katalizatori për 'luftën globale kundër terrorizmit' që ka shpërndarë dhe globalizuar islamofobinë me gjuhë antimyslimane, ndoshta edhe më fuqishëm se çdo qeveri tjetër në botë. Sepse ShBA-ja është një superfuqi, apo jo? Është shteti dhe qeveria më e fuqishme në botë, që pretendon të jetë një demokraci. ShBA-ja ka eksportuar islamofobinë në Azi, Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme dhe më gjerë në një mënyrë shkatërruese", tha ai.
Duke iu referuar situatës së myslimanëve Rohingya në Mianmar, Beydoun tha: "Ne nuk mund të injorojmë atë që po ndodh në Mianmar. Dhjetëra mijëra Rohingya janë vrarë dhe qindra mijëra prej tyre janë zhvendosur nëpërmjet spastrimit etnik në vend. Të gjitha fshatrat myslimane, qytetet dhe komunitetet janë shkatërruar nga qeveria e saj ushtarake budiste".
Islamofobia është kombinim i frikës dhe urrejtjes
Islamofobia është një kombinim i frikës dhe urrejtjes, kështu e përkufizon Beydon islamofobinë.
“Politikanët duan të avancojnë interesat e tyre politike, ekonomike dhe gjeopolitike duke përdorur islamofobinë si mjet. Qeveritë e dinë se çfarë po bëjnë. Politikanët e dinë se çfarë po bëjnë kur përdorin islamofobinë si armë për mbështetje. Për shembull, ish-presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur islamofobinë si një armë. Ai e dinte se nëse do ta përdorte atë si një taktikë fushate, do të mobilizonte bazën e tij dhe do të merrte më shumë mbështetje për fushatën e tij”, thotë Beydoun.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në 2022 me konsensus miratoi një rezolutë që shpalli 15 marsin si Ditën Ndërkombëtare të Luftimit të Islamofobisë.
Rezoluta u prezantua nga Pakistani në emër të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Kjo shënon ditën kur një person i armatosur hyri në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re, duke vrarë 51 viktima dhe duke plagosur 40 të tjerë.