Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vendosur që të emërojë ish-zyrtaren e lartë nga Maqedonia e Veriut, Radmilla Shekerinska, për zëvendëssekretare të përgjithshme të Aleancës.
Sipas informacionit që qëndron në uebfaqen e NATO-s, Rutte e emëroi Shekerinskën zv.sekretare të përgjithshme të NATO-s.
"Jam i lumtur të njoftoj emërimin e Radmilla Shekerinskës si zëvendëssekretare të përgjithshme të ardhshme. Ajo vërtet beson në NATO, e di punën që duhet për t'u anëtarësuar në Aleancë dhe çfarë do të thotë të jesh një anëtare e plotë. Mezi pres të punoj me të ndërsa ajo merr këtë rol jetësor", u shpreh Rutte, sipas lajmit në uebfaqen e NATO-s.
Shekerinska në vitin 2004 ka shërbyer shkurt kohë si kryeministre, ndërkaq ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministre për Integrime Evropiane dhe Ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut në periudha të ndryshme.
Maqedonia e Veriut u bë anëtare e plotë e NATO-s gjatë mandatit të saj si ministre e Mbrojtjes së vendit.
Ajo do të marrë detyrën më vonë gjatë këtij viti, njofton NATO-ja.