Numrat e migrantëve të parregullt që kërkojnë të hyjnë në BE po shtohen, ndërsa rritet tensioni mes vendeve anëtare për shpërndarjen e migrantëve mes shteteve brenda BE-së. Sipas komisares evropiane për çështje të brendshme, Ylva Johansson, shumë prej migrantëve vijnë nga Egjipti, Tunizia dhe Bangladeshi, dhe atyre nuk u duhet mbrojtje ndërkombëtare. Ata, sipas komisares Johansson, vijnë për pagë më të lartë në BE.
Ndërkohë, Italia, Greqia, Qipro dhe Malta kritikuan vendet anëtare të BE-së se nuk po bëjnë sa duhet për të shpërndarë barrën e migrantëve, ndërsa Brukseli po punon për një strategji për shpërndarje të drejtë të migrantëve mes vendeve anëtare.
Krizë e re po shpërthen në rutën përgjatë Ballkanit Perëndimor
Në muajt e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të ardhjes së migrantëve të parregullt përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor dhe “një numër i madh i tyre vijnë përmes Serbisë, sepse hyjnë në atë vend pa viza dhe më pas shkojnë drejt vendeve anëtare të Unionit”, tha komisarja Johansson më 18 nëntor.
Në përgjigje të presionit nga vendet e BE-së, Serbia ka harmonizuar politikat e saj të vizave me ato të BE-së për disa vende në Azi, Afrikë dhe Karaibe. Marrëveshjet e hyrjes pa viza me Tunizinë dhe Burundin përfunduan në nëntor. Serbia së shpejti do të vendosë viza edhe me dy shtete të tjera, ka bërë të ditur presidenti serb Aleksandar Vuçiq, por nuk ka specifikuar se cilat. Kancelari austriak Karl Nehammer, gjatë vizitës së tij në Beograd më 16 nëntor, falënderoi presidentin serb “për angazhimin që të përfundojë ky turizëm i azilit të shkaktuar nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Indisë, të Tunizisë dhe të vendeve të tjera”.
“Kemi pasur një numër të madh të azilkërkuesve nga India, ka reaguar Vuçiq dhe nuk e ka lënë Austrinë në baltë”, tha kancelari austriak.
Më 16 nëntor, Serbia, Hungaria dhe Austria nënshkruan një memorandum për forcimin e bashkëpunimit për migracionin dhe mbrojtjen e kufijve, sipas të cilit policët e të tria vendeve do të punojnë së bashku.
Bosnjë e Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia janë bërë vende tranziti për migrantët që shkojnë drejt Evropës Perëndimore. Në BeH, aktualisht janë rreth 2.600 emigrantë të regjistruar në qendrat e pritjes, ndërsa rreth 700 emigrantë të tjerë banojnë kryesisht afër kufirit të BE-së. Qytetarët e Burundit janë ndër tri grupet më të shumta të të ardhurve, që është pasojë e drejtpërdrejtë e regjimit pa viza që vendi kishte me fqinjin e BeH-së, Serbinë.
Autoritetet në BeH kanë identifikuar vendet me rrezik të lartë me të cilat duhet të nënshkruhen marrëveshjet e ripranimit, por këto vende po e vonojnë procesin. Deri tani ka një marrëveshje vetëm me Pakistanin. BeH po i përgjigjet shumë më mirë migrimit se në vitet e mëparshme, por edhe sot numri i policëve që mbrojnë kufijtë e shtetit konsiderohet ende i pamjaftueshëm.
Kroacia, Sllovenia dhe Bullgaria – menaxhim i kufirit edhe brenda zonës Shengen
Kroacia regjistroi një rritje të mprehtë prej 146 për qind në kalimet e paligjshme, sipas Zharko Katiç, Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Kroate. Kanë ndryshuar edhe vendet e origjinës së emigrantëve që vijnë në Kroaci. Tradicionalisht, emigrantët që hynë në Kroaci vinin nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore dhe Sub-Sahariane.
Ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner shkaktoi shqetësim në Kroaci kohët e fundit, duke thënë se ai do të kundërshtonte zgjerimin e zonës Shengen në Kroaci, Bullgari dhe Rumani. Austria po përjetonte presion të madh emigrantësh, shtoi ai. Këtë vit, Austria ka regjistruar rreth 100.000 emigrantë, nga të cilët 75.000 nuk ishin regjistruar më parë në asnjë nga vendet e tjera anëtare të BE-së.
Fqinji veriperëndimor i Kroacisë, Sllovenia, gjithashtu përjetoi një rritje të konsiderueshme nga viti në vit prej 160 për qind në 21.467 kalime të paligjshme kufitare në 10 muajt e parë të 2022. Dhe shumica e këtyre emigrantëve erdhën nga vende si Burundi, India, Kuba, Afganistani dhe Bangladeshi. Megjithatë, pasi Serbia përafroi politikën e saj të vizave me BE-në, numri i emigrantëve Burundianë dhe Tunizianë tashmë ishte ulur, tha Ministria e Brendshme sllovene. Kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare në Slloveni gjithashtu u shumëfishuan në 21.452 në 10 muajt e parë të vitit aktual, nga vetëm 4.174 për të njëjtën periudhë të vitit 2021. Sipas të dhënave të fundit, vetëm 167 aplikime për mbrojtje ndërkombëtare janë miratuar deri më tani këtë vit.
Edhe pse Sllovenia mbështet anëtarësimin e Kroacisë në zonën Shengen, ministrja e Jashtme Tanja Fajon tha se vendi do të vendosë kontrolle kufitare me Kroacinë nëse është e nevojshme. Ajo tha se Sllovenia nuk dëshiron të bëhet një xhep për migracionin ilegal.
Javët e fundit ka pasur incidente të përditshme të shkaktuara nga kontrabandistët dhe emigrantët. Në shtator u shpall gjendja e jashtëzakonshme për herë të parë në tri rajone jugore të Bullgarisë për shkak të rritjes së presionit migrator. Ndërkohë, Europoli ka diskutuar për formimin e ekipeve të përbashkëta të ndërhyrjes kufitare me Sofjen.