Pikat kufitare fokus i takimit Kosovë-Maqedoni e Veriut në Prishtinë. / Foto: AA

Gjatë ditës së sotme në Prishtinë është realizuar takimi i 2-të ndërqeveritar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim fillimisht kryeministri Albin Kurti u përshëndet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, ndërsa pas intonimit të himneve shtetërore të të dyja shteteve, të dy kryeministrat u përshëndetën me ministrat e kabineteve qeveritare.

Pjesëtarët e dy qeverive u bënë bashkë për një fotografi dhe më pas vazhduan drejtë sallës ku u mbajt mbledhja e dy qeverive dhe u nënshkruan marrëveshjet e përbashkëta.

Ndër pikat më të rëndësishme të marrëveshjeve për të cilat u deklaruan të dy kryeministrat ishte "One Stop Shop" (një ndalesë e vetme) në kufirin Bllacë dhe Jazhincë, që do ta lehtësojë dukshëm komunikacionin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave në këto pika kufitare më të frekuentuara me Maqedoninë e Veriut.

“Nga 1 janari 2025 në dy pikat kufitare Bllacë dhe Han i Elezit dhe Jazhincë-Glloboçicë do të zbatohet modeli hyrje-hyrje, ku zyrtarët tanë do të punojnë së bashku në një ndërtesë. Do të lehtësohet lëvizja e qytetarëve tanë”, deklaroi Kurti. Përveç vendkalimit kufitar “One Stop Shop”, sipas kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, bashkëpunimi ekonomik me Kosovën do të jetë mbi gjysmë miliard euro.

“Gjatë takimit bilateral përcaktuam një qëllim këtë vit, bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis dy vendeve tona, në vitet që pasojnë bashkëpunimi ekonomik do të jetë akoma më i madh, jam i bindur se do ia dalim. Takimi ndërqeveritar është provë dhe dëshmi se të dyja qeveritë tregojnë se bashkëpunojnë dhe kemi marrëdhënie miqësore dhe të afërta të cilat do t’i avancojmë. Kemi marrëveshje në pjesën e energjetikës, e po ashtu edhe të rregullimit të kalimeve ndërkufitare që qytetarët që hynë dhe dalin nga vendet tona do të ndalen në një pikë kalimi dhe jo në dy, si dhe në këtë mënyrë të mos ketë rrëmujë nëpër kufi. Të kemi një pikë kufitare dhe të përshpejtohet transferi i udhëtarëve”, tha Mickoski.

Kjo është mbledhja e dytë midis dy qeverive të vendeve, ndërsa mbledhja e parë ndërqeveritare u mbajt në shtator të vitit 2021 në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.

TRT Balkan