Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka pritur në takim presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili gjendet në një vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Pendarovski pas takimit deklaroi se me homologun e tij gjerman kanë biseduar për raportet bilaterale, për luftën në Ukrainë dhe krizën ekonomike, me ç’rast tha se ka marrë mbështetje edhe për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Kjo vizitë ka vlerat e saj sepse po ndodh në një kohë kur po ballafaqohemi me një luftë në hapësirën evropiane… Në këtë periudhë senzitive kemi nevojë të domosdoshme nga aleatët e mëdhenj, një ndër to është Gjermania”, deklaroi Pendarovski.
Sipas Pendarovskit, Maqedonia e Veriut e vlerëson rolin e Gjermanisë sa i përket sigurisë së rajonit nëpërmjet procesit të Berlinit.
“Ne vlerësojmë lart përkushtimin dhe përpjekjet personale të presidentit gjerman Steinmeier në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe rolin e Gjermanisë në procesin e Berlinit, i cili përfaqëson qëllimin tonë të përbashkët në interes të stabilitetit dhe sigurisë së rajon më të gjerë”, shtoi Pendarovski.
Nga ana tjetër, homologu i tij, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, ishte i drejtëpërdrejtë në pyetjen lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Ai tha se askush nuk mund të sigurojë që Maqedonia e Veriut mund të bëhet anëtare e BE-së deri në fund të vitit 2030, por e rëndësishme sipas tij është që të vendoset kjo si qëllim.
“A do të jetë viti 2030, duhet ta kuptoni që askush për momentin nuk mund ta thotë, as politikanë nga Maqedonia e Veriut, as nga Gjermania dhe as nga BE-ja, askush nuk mund të premtojë, por duhet ta keni qëllim këtë”, tha mes të tjerash Steinmeier.
Presidenti Steinmeier u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në një ceremoni zyrtare.
Në kuadër të vizitës është paraparë që presidenti gjerman Steinmeier të takojë edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskin.
Gjithashtu, Steinmeier do të vizitojë disa kompani gjermane që operojnë në Maqedoninë e Veriut.
Kjo është vizita e parë e presidentit federal Steinmeier në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Pas Maqedonisë së Veriut, Steinmeier niset për të vizituar Shqipërinë fqinje.