Zyrtarët shëndetësorë amerikanë kanë paralajmëruar se pezullimi i fondeve për Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nga administrata Trump mund të përkeqësojë shpërthimin në rritje të Ebolës në Ugandë, duke vonuar ndihmën thelbësore dhe duke e komplikuar reagimin.
Shpërthimi i tetë i Ebolës në Ugandë filloi kur një infermiere në Kampala u infektua me virusin Sudan dhe vdiq tetë ditë më vonë. Aktualisht, ka gjashtë raste të konfirmuara dhe gjashtë të dyshuara, me dy pacientë pa lidhje të qartë me virusin. Për këtë lloj të Ebolës nuk ka trajtim të miratuar nga FDA, ndërsa, sipas OBSh-së, shpërthimet e mëparshme kanë pasur një normë vdekshmërie prej të paktën 41%.
Ndalimi i ndihmës së huaj nga administrata Trump ka dëmtuar përpjekjet globale shëndetësore, duke lënë organizatat jofitimprurëse të pasigurta dhe me fatura të papaguara, ndërkohë që shumë operacione të financuara nga ShBA-ja janë pezulluar ose reduktuar.
Më shumë se një duzinë amerikanësh në Ugandë janë ekspozuar ndaj virusit Sudan, megjithëse asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur simptoma, raportoi CBS News.
Një zyrtar amerikan deklaroi se pezullimi i ndihmës ka çuar në mungesë të stafit për gjurmimin e kontakteve dhe kontrollin e udhëtarëve në Ugandë, pasi shumë ekspertë të financuar nga ShBA-ja janë pushuar nga puna ose nuk mund të kryejnë detyrat e tyre.
Vendimi i Presidentit Trump për të tërhequr SHBA nga OBSh-së ka ndikuar gjithashtu në ndërprerjen e lidhjeve me organizatën, e cila luan një rol kyç në menaxhimin e reagimit të Ugandës ndaj shpërthimit të Ebolës.
Në përgjigje të këtyre shkurtimeve, Ministria e Shëndetësisë e Ugandës, e mbështetur nga USAID-i, u ka bërë thirrje punonjësve të saj të "shërbejnë si vullnetarë në frymën e patriotizmit", raportoi CBS News.