Turizmi është industri me vlerë trilionë dollarë në vit, ndërsa rreth 1.5 miliardë njerëz udhëtojnë për turizëm për çdo vit. Turizmi dimëror përbën pjesë të rëndësishme në këtë industri, ndërsa për shumë shtete është gjeneruesi kryesor i PBV-së.
Turizmi dimëror përfshin sportet dimërore, si skijimi, patinazhi në akull, 'snowboard' e të tjera; vizitimi i vendeve malore turistike dhe shfrytëzimi i SPA-së, saunës dhe hamameve turke gjatë stinëve të ftohta të vitit.
Por, cilat janë ski qendrat më të mira të botës? Platforma Ski Resort ka bërë klasifikimin e ski qendrave më të preferuara nga pushuesit.
Austria me ski qendrat më të mira
Qendra e skijimit KitzSki – Kitzbühel/Kirchberg në Tirol të Austrisë është qendra më e mirë në botë sipas vlerësimeve të pushuesve, me një mesatare prej 4.9 nga 5 yje të mundshme. Përveç kësaj, 7 nga 10 ski qendrat më të mira janë të Austrisë.
Në listën e 20 ski qendrave më të mira gjithashtu dominon Austria, ndërsa përveç saj përfaqësohen edhe Italia, Zvicra, Franca, ShBA-ja dhe Kanadaja.
Top 10 ski qendrat më të mira në botë
KitzSki – Kitzbühel/Kirchberg Austri
Ischgl/Samnaun – Silvretta Arena Austri
SkiWelt Wilder Kaiser-Brixental Austri
St. Anton/St. Christoph/Stuben/Lech/Zürs/Warth/Schröcken – Ski Arlberg Austri
Serfaus-Fiss-Ladis Austri
Kaltenbach – Hochzillertal/Hochfügen (SKi-optimal) Austri
Val Gardena Itali
Saalbach Hinterglemm Leogang Fieberbrunn Austri
Arosa Lenzerheide Zvicër
Madonna di Campiglio/Pinzolo/Folgàrida/Marilleva Itali
Ski qendrat e rajonit nuk konkurrojnë me më të mirët
Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka disa ski qendra atraktive për pushuesit lokalë. Ndër to janë Brezovica në Kosovë, Dardha në Shqipëri, Kodra e Diellit në Maqedoninë e Veriut, Bjellashnica dhe Igmana në Bosnjë e Hercegovinë, Kolashin në Mal të Zi, Kopaonik në Serbi dhe të tjera.
Por, asnjë nga ski qendrat e rajonit nuk përfshihen në listën e 50 qendrave të skijimit më mirë të vlerësuara nga pushuesit. Përderisa ato mbeten atraktive kryesisht për pushuesit lokalë, mungesa e investimeve dhe niveli i pamjaftueshëm i komercializimit të këtyre qendrave e bëjnë të vështirë konkurrimin në hartën botërore.