Një stuhi dimërore arktike goditi disa pjesë të Shteteve të Bashkuara nga e premtja, duke vrarë 26 njerëz.
Sipas lajmeve të CNN-it, tetë persona vdiqën në Ohio, shtatë në Nju Jork, Kansas dhe Kentaki nga tre, Kolorado dy, Misuri, Tenesi dhe Wisconsin nga një.
Marc Poloncarz, një zyrtar nga Erie County në shtetin amerikan të Nju Jorkut, konfirmoi se katër persona të tjerë vdiqën të dielën për shkak të reshjeve të mëdha të borës.
Në disa rajone me reshje të dendura bore është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe ndalimi i drejtimit të automjeteve.
Miliona njerëz në vend u mbyllën në shtëpitë e tyre, pa energji elektrike për shkak të stuhisë së borës.
"Stuhia vdekjeprurëse", e cila shtrihej nga Liqenet e Mëdha në Kanada deri në Rio Grande në kufirin me Meksikën, preku negativisht gati 60 për qind të popullsisë së ShBA.
Faqja e gjurmimit të fluturimeve FlightAware raportoi se 1.645 fluturime vendase dhe ndërkombëtare u anuluan dhe 3.869 fluturime u vonuan në ShBA të dielën, 25 dhjetor.
Për shkak të stuhisë, katet përdhese të disa spitaleve dhe objekteve të biznesit në bregun e Nju Xhersit me pamje nga Manhattani u përmbytën nga lumi Hudson i tejmbushur.
Në Japoni 14 viktima, paralizohet transporti
Numri i të vdekurve në fatkeqësitë dhe aksidentet e shkaktuara nga reshjet e dendura të borës në pjesë të ndryshme të Japonisë ka shkuar në 14.
Reshjet e borës në Japoni kanë përfshirë provincat veriore dhe perëndimore që nga 17 dhjetori.
Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Zjarreve dhe të Fatkeqësive, numri i të vdekurve nga fatkeqësitë dhe aksidentet e shkaktuara nga reshjet e dendura të borës në gjithë vendin është rritur në 14 dhe numri i të lënduarve në 80, raportoi televizioni shtetëror NHK.
Ndërkaq, rreth 20.000 shtëpi në ishullin verior Hokkaido janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike pas reshjeve të borës, tha kompania Hokkaido Electric Power.
Mediat e vendit po ashtu raportuan ndërprerje në shërbimet ajrore dhe hekurudhore për shkak të reshjeve të dendura borës.