Sudani raporton mbi 43 mijë raste të kolerës në mes të konfliktit              /Foto: AA

Sudani ka raportuar më shumë se 43 mijë raste të kolerës dhe 1.800 vdekje në vendin e shkatërruar nga lufta.

Ministria e Shëndetësisë e Sudanit tha se 221 raste të reja të kolerës u regjistruan në tetë shtete, përfshirë dy vdekje, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të kolerës ka shkuar në 43.490 dhe numri i vdekjeve në 1.187.

Rastet e kolerës u regjistruan në Khartoum, Al Jazirah, Al Qadarif, Kassala, lumin Nil, Shtetin Verior, Nilin e Bardhë dhe Sennar.

Ministria sudaneze gjithashtu raportoi 15 raste të reja të etheve të dengës, duke e rritur numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 8.008 dhe 16 vdekje.

Ethet e dengës, të transmetuara përmes pickimit të mushkonjave, shkaktojnë simptoma të tilla si temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, të përziera dhe të vjella.

Kolera, një sëmundje bakteriale që përhapet zakonisht përmes ujit të kontaminuar, shkakton diarre dhe dehidrim të rëndë dhe, nëse nuk trajtohet, mund të jetë fatale brenda disa orësh.

Që nga prilli i vitit 2023, Sudani është shkatërruar nga luftimet midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Sipas vlerësimeve nga OKB-ja dhe autoritetet lokale sudaneze, luftimet kanë rezultuar në më shumë se 22 mijë vdekje dhe kanë çuar në zhvendosjen e mbi 14 milionë njerëzve.

TRT Balkan / agjencitë