Sulmet izraelite në Khan Younis vranë të paktën 70 palestinezë / Photo: AA

Të paktën 70 persona u vranë të hënën në sulmet izraelite në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Ushtria izraelite urdhëroi palestinezët që jetonin në lagjet lindore të Khan Younis të evakuoheshin menjëherë dhe banorët u panë duke ikur nga zonat e tyre në këmbë dhe me makina mes bombardimeve izraelite, njoftoi Wafa.

Kompleksi Mjekësor Nasser u bëri thirrje banorëve të "dhurojnë urgjentisht gjak" për të plagosurit për shkak të mungesës së madhe të njësive të gjakut.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichay Adraee pohoi se "prania e operacioneve të shumta ushtarake dhe raketa nga pjesa lindore e Khan Younis e bën të rrezikshëm qëndrimin atje".

Dy javë më parë, ushtria izraelite vrau të paktën 90 palestinezë dhe plagosi 300 në sulmet në zonën al-Mawasi pranë Khan Younis, të cilën ushtria e caktoi si një "zonë të sigurt".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e justifikoi masakrën, duke thënë se sulmi kishte në shënjestër komandantin e krahut të armatosur të Hamasit, Mohammed Deif, dhe zëvendësin e tij.

Megjithatë, Izraeli nuk e ka konfirmuar vdekjen e komandantit.

Në shkelje të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me dënimin ndërkombëtar në mes të ofensivës së tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi.

Që atëherë, më shumë se 39.000 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, nd më shumë se 89.900 janë plagosur.

Më shumë se nëntë muaj pas sulmit izraelit, zona të gjera të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes bllokadave të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

TRT Balkan / agjencitë