Në muajt e fundit Monique Ruck, një 34-vjeçare nënë e tre fëmijëve, ka filluar të vijë në qendrën rekreative pranë shtëpisë së saj në lindje të kryeqytetit gjerman, e cila drejtohet nga një organizatë humanitare lokale fëmijësh anti-varfëri, e quajtur Die Arche (Anija).
Prind i vetëm i tre fëmijëve të moshës dhjetë, shtatë dhe dy vjeç, ajo ka filluar të vizitojë qendrën disa herë gjatë javës me vajzën e saj më të vogël, ku, krahas këndit të lojërave, ambienteve të brendshme të kohës së lirë dhe materialeve mësimore, nëna dhe vajza janë në gjendje të hanë drekat e përditshme që organizata u ofron familjeve.
Është një hap që Ruck i është dashur të ndërmarrë për t’ia dalë mbanë me situatën e saj aktuale mes një rritjeje të çmimeve të energjisë që ka goditur Gjermaninë, vendin evropian më të varur nga burimet ruse, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë në fund të shkurtit.
Duke folur për TRT World në këndin e lojërave ndërsa vajza e saj luan aty pranë, ajo thotë se familja e saj po kalon një kohë të vështirë.
“Nuk janë vetëm çmimet e energjisë ato që janë rritur; janë rritur edhe shpenzimet për ushqim dhe makinë”, thotë ajo.
Monique, shton se i duhet të përdor makinën çdo ditë për t’i çuar fëmijët në shkollë, por nuk e di se në çfarë situate do të ishte nëse makina do t’i prishej.
“Jam shumë e shqetësuar për muajt e ardhshëm. E di që nuk jam e vetmja në këtë pozicion, të gjithë po përjetojnë vështirësi, por është shqetësuese sepse askush nuk e di se çfarë do të ndodhë”, shprehet ajo.
Zëdhënësi i Die Arche Wolfgang Buescher thotë se OJQ-ja mbështet më shumë se 5.000 familje me prejardhje më të ulët socio-ekonomike në gjithë vendin, dhe rreth 1.800 familje në Berlin - 95 për qind e të cilave janë nëna të vetme - në fusha të tilla si këshillimi, ushqimi, koha e lirë dhe aktivitetet arsimore. Ai thotë për TRT World se në këto dy dekada që punon në qytet nuk ka parë një situatë kaq të rëndë si kjo.
“Tani kemi prindër që na thonë se ata nuk janë në gjendje t’i ushqejnë fëmijët e tyre me vakte gjatë drekës dhe kështu kanë filluar të anashkalojnë vaktet në mënyrë që të kenë diçka për t’u dhënë atyre për darkë”, thotë ai.
Buescher thotë se bamirësia, e cila gjithashtu ka parë një rënie të donacioneve private në muajt e fundit, thotë se ata presin të shohin rritjen e numrit të familjeve që vijnë në qendrat e tyre në muajt në vijim.
“Ka të ngjarë që do të shohim më shumë familje nga Ukraina si dhe familje nga vendet arabe që kanë ardhur në vitet e mëparshme. Është e vështirë të thuhet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, thotë ai.
Një tronditje e madhe
Familjet me një prind janë ndër të shumtët që aktualisht po përballen me sfida mes krizës ekonomike të vendit dhe niveleve të larta të inflacionit, të regjistruara në fund të verës në nivelin më të lartë në gati pesë dekada.
Inxhinierja e të dhënave me origjinë indiane, Abi Saripalli, 34 vjeç, ka jetuar në Berlin për rreth një dekadë dhe së fundmi është zhvendosur në një shtëpi të re afër qendrës së qytetit. Nëna e martuar me një fëmije, vajza e së cilës është pesë vjeç, thotë se ajo dhe bashkëshorti i saj tashmë kanë filluar të zbatojnë zgjidhje - edhe pse afatshkurtra - për t’u ndihmuar atyre të menaxhojnë rritjen e pritshme që kompania e tyre e gazit dhe elektricitetit ka paralajmëruar tashmë rreth tyre.
“Ne po paguajmë rreth 90 euro për ngrohje dhe rrymë në muaj tani dhe jemi paralajmëruar se kjo mund të dyfishohet në muaj për të njëjtën sasi përdorimi”, thotë ajo dhe shton se nuk e kanë ndezur ngrohjen dhe kanë sjellë më shumë rroba të ngrohta si dhe drita më efikase në energji.
“Nuk është ende shumë ftohtë në mëngjes, por mbrëmjet kanë filluar të bëhen të ftohta dhe kështu veshim pulovrat. Nga nëntori do të fillojë të bëhet më ftohtë, kështu që do të duhet të fillojmë të aktivizojmë ngrohjen që nga mëngjesi”, thotë Saripalli.
Mes tjerash ajo ka vënë re se si përshtatja ka qenë më e lehtë për vajzën e saj në krahasim me të dhe bashkëshortin e saj.
“Ndërgjegjësimi për klimën ekziston shumë në shkolla dhe kopshte këtu, kështu që për fëmijët kjo që po ndodh nuk është një tronditje e madhe. Është më shumë për të rriturit, sepse ne si fëmijë nuk jemi trajnuar për të menduar për mbrojtjen e mjedisit. Burri im dhe unë duhet t’i kujtojmë njëri-tjetrit të bëjmë gjëra të tilla si fikja e dritave, por vajza ime është shumë më e mirë në këtë dhe i fik gjërat për mua. Ose kur hap rubinetin dhe e lë ujin të rrjedhë edhe për disa sekonda, ajo më thotë: ‘Mami, duhet ta mbyllësh rubinetin sepse ndryshe peshqit nuk do të kenë ujë në pellg’, deklaron Saripalli.
Bizneset e vogla dhe të mesme – përfshirë furrat e bukës, prodhuesit dhe hotelet po ndiejnë gjithashtu efektet e krizës. Rreth 718 subjekte ekonomike gjermane u bënë të falimentuara në gusht, një rritje prej 26 për qind krahasuar me vitin e kaluar, sipas institutit ekonomik IWH.
Qendrat e mirëqenies dhe ato për spa, kulturë jashtëzakonisht e popullarizuar në Gjermani, janë tashmë ndër ato që detyrohen të ndryshojnë modelet e tyre të konsumit të energjisë me fillimin e dimrit. Është një proces që tashmë e ka filluar Helga Roehle, menaxherja 64-vjeçare në Hamam Berlin, qendër turke larjeje më e vjetra në Gjermani, në rrethin juglindor Kreuzberg.
I ndodhur brenda një prej ndërtesave më ikonike të zonës, Schokofabrik - një ish-fabrikë çokollate që ka shërbyer si një hapësirë e vetorganizuar që ofron klasa, sporte dhe aktivitete të tjera për gratë dhe vajzat për katër dekada - hamami mbështetet në sasi të mëdha energjie për shfrytëzim gjatë shtatë ditëve të javës që është i hapur.
Siç thotë Roehle, “Ne përdorim shumë energji për të ngrohur zonat e saunës dhe të spasë dhe na është thënë se çmimet mund të rriten gjashtë herë më shumë se sa paguajmë tani. Në mënyrë që të përpiqemi dhe të përgatitemi për muajt e dimrit në vijim, ne kemi filluar të zbatojmë masa të tilla si prodhimi i energjisë elektrike në çatinë tonë dhe të eksplorojmë reduktimin e përdorimit të energjisë në hamam me anë të teknologjive të reja”.
Roehle thotë se hamami, i cili ka një numër staf me rotacion prej rreth 50 personash, do të duhet gjithashtu të rrisë kostot e trajtimeve që i ofron, duke përfshirë Kese (‘peeling’ të plotë të trupit) dhe Sabunlama (masazh me sapun) me rreth 10 përqind, të cilat do të hyjnë në fuqi këtë muaj.
“Gjendja e përgjithshme në hamam është për t’u shqetësuar. Sapo kemi dalë nga pandemia dhe mbyllja e detyruar gjatë asaj periudhe, tani kemi luftën në Ukrainë dhe kemi ende sfondin e ndryshimeve klimatike. Shpresojmë që e gjithë kjo të marrë fund së shpejti”, thotë ajo.
19 Tet 2022
"Të anashkalosh vaktet": Të varfrit gjermanë goditen keq nga kriza e gazit
Nënat e vetme dhe familjet me të ardhura të ulëta shpesh paraqiten në organizatat humanitare – disa për të pasur qasje në materialin mësimor, disa për të mbushur stomakun e tyre bosh.
TRT World
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
I zgjedhuri i Trumpit për shef të drejtësisë tërhiqet nga nominimi
Gaetz ishte në Kongresin Amerikan të mërkurën për t’u ulur me senatorët që ishin kyç për konfirmimin e tij për të udhëhequr Departamentin e Drejtësisë por pranoi se emërimi i tij është bërë një “shpërqendrim” për ekipin e tranzicionit të Trumpit.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore