Qeveria somaleze dhe agjencitë e ndihmës së OKB-së kanë paralajmëruar se 4,4 milionë njerëz mund të mbeten të uritur në prill të vitit 2025 për shkak të përkeqësimit të thatësirës, konfliktit dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve në vendin e Bririt të Afrikës.
"Përkeqësimi i thatësirës përbën një kërcënim serioz për komunitetet që tashmë po përballen me vështirësi të mëdha dhe konflikte të vazhdueshme. Kërkohet veprim urgjent për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe për t'i parandaluar vuajtjet e mëtejshme", tha komisari i Agjencisë Somaleze të Menaxhimit të Fatkeqësive (SoDMA), Mohamuud Moallim, në një deklaratë të përbashkët me disa agjenci të tjera të OKB-së.
Moallim theksoi se këtë herë ata nuk po përballen vetëm me ndikimet shkatërruese të thatësirës, por edhe me rreziqet të ndërlikuara, përfshirë konfliktin dhe rënien e paparë të financimit humanitar.
"Këto kriza të kërkojnë veprim të menjëhershëm, kolektiv dhe të mirë-koordinuar për të forcuar qëndrueshmërinë e Somalisë dhe për të mbrojtur komunitetet tona më të cenueshme", tha ai.
Paralajmërimi është lëshuar nga SoDMA, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së (FAO), Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) dhe Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së.
Ata shprehën frikë se midis prillit dhe qershorit të këtij viti, kur edhe priten reshje nën mesataren, numri i njerëzve të prekur nga uria do të rritet në 4,4 milionë apo 23 për qind e popullsisë.
Paralajmërimi tha se mungesat akute të financimit kanë rezultuar në reduktimin ose eliminimin e programeve të shpëtimit të jetës në Somali dhe se urgjentisht është e nevojshme të rritet mbështetja për ndihma ushqimore, shërbime të ujit dhe kanalizimeve, si dhe iniciativat e jetesës për të zbutur efektet e thatësirës së pritshme në Somali.
Plani ‘Nevojat Humanitare dhe Reagimi i Somalisë’ për vitin 2025 kërkon 1,42 miliard dollarë për të adresuar krizën humanitare të vendit, por vetëm 12,4 për qind e kësaj shume është financuar deri më tani.
Paralajmërimi vjen pasi analiza më e fundit e ‘Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar’ (IPC) tregon se 3,4 milionë somalezë tashmë po përjetojnë uri të nivelit të krizës ose edhe më të lartë.
Vendi po i afrohet një urie si në vitin 2022, e cila sipas të dhënave të OKB-së, vrau mijëra njerëz, gati gjysma e të cilëve ishin fëmijë.