Shqetësimet për thatësirën po rriten në Evropën Perëndimore pasi matjet e borës nëpër Alpe tregojnë sasi më të vogël të akumulimit, krahasuar me normalen për këtë periudhë të vitit. Reshjet në vende të tilla si Italia dhe Franca janë gjithashtu shumë të ulëta në shkurt.
Franca, Zvicra, Italia dhe pjesë të Austrisë panë shumë më pak borë se mesatarja, tha meteorologu Klaus Haslinger i GeoSphere Austria, shërbimi shtetëror i motit.
Në Itali, organizata jofitimprurëse mjedisore Legambiente paralajmëron se Alpet italiane kanë parë 53 për qind më pak borë se mesatarja në muajt e fundit.
Problemi nuk është vetëm mungesa e borës, por edhe mungesa e shiut.
Në pellgun e lumit Po, i cili përshkon Italinë veriore, reshjet janë 61 për qind më të ulëta se mesatarja historike, tregojnë të dhënat.
Në Francë, pas disa javësh pa reshje shiu, druhet për një verë të dytë të thatë radhazi me kufizime të ujit.
Kjo nuk është hera e parë që kushte të tilla moti shkaktojnë vite me reshje jashtëzakonisht të ulëta, theksoi Haslinger.
Gjashtëdhjetë vjet më parë, tha ai, kishte një periudhë moti të thatë që zgjati disa vjet për shkak të shpërndarjes specifike të temperaturave në tokë dhe det.
Më pas niveli i Danubit ra në nivel rekord, tha meteorologu.
Frikë nga përkeqësimi i thatësirës
Haslinger tha se ka prova se ngrohja globale po favorizon modele të tilla të temperaturës, duke i bërë kushtet e thatësirës më të zakonshme në vitet në vijim.
“Nëse moti i pranverës është i ngjashëm me vitin 2022, thatësira do të bëhet edhe më e keqe”, paralajmëroi Josef Eitzinger, një meteorolog bujqësor në Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë.
Po bëhet e qartë se lumenjtë do të bartin shumë më pak ujë të shkrirë nga malet këtë vit, gjë që është gjithashtu çelësi për rimbushjen e ujërave nëntokësore, tha ai.
Në Francë, sipas të dhënave nga sistemi kombëtar i monitorimit të ujërave, nga 422 zona ujore nëntokësore të vëzhguara, 125 janë tashmë në një nivel shumë të ulët, 120 në një nivel të ulët dhe 97 në një nivel mesatarisht të ulët.
Kanalet e Venecias me famë botërore janë tharë gjithashtu, me shumë kanale më të vogla që nuk janë më të lundrueshme.
Gjatë baticës së ulët, kohët e fundit u mat një nivel uji prej minus 65 centimetra.
E gjithë Italia veriore po vuan. Sipas gazetës La Repubblica, pas një muaji pa reshje shiu në “luginën e ushqimit” të Italisë në rajonin Emilia-Romagni, ekziston rreziku i një rënieje prej 40 për qind të prodhimit kombëtar të ushqimit.