Shitja e armëve dhe shërbimeve ushtarake nga 100 kompanitë më të mëdha në industri ka arritur 592 miliardë dollarë gjatë vitit 2021, një rritje prej 1.9 për qind krahasuar me vitin 2020. Kjo del si përfundim nga të dhënat e fundit të publikuara sot nga Instituti Ndërkombëtar i Hulumtimeve të Paqes (SIPRI).
Kjo rritje shënon vitin e shtatë të njëpasnjëshëm me rritje të shitjes së armëve globalisht. Sidoqoftë, përkundër faktit se niveli i rritjes gjatë vitit 2021 ishte më i lartë se rritja në vitin paraprak (1.1%), akoma është nën nivelin e rritjes në 4 vitet para pandemisë (3.7% mesatarisht).
Bien shitjet e kompanive amerikane
Shitjet e 40 kompanive amerikane në këtë listë kapën vlerën e gjithsej 299 miliardë dollarëve gjatë vitit 2021.
Sidoqoftë, Amerika Veriore ishte rajoni i vetëm që kishte rënie në shitjen e armëve, krahasuar me vitin 2020. Rënia prej 0.8% ishte pjesërisht për shkak të inflacionit të lartë në ekonominë amerikane gjatë vitit 2020.
Që nga viti 2018, 5 kompanitë e para në Top 100 kanë qenë gjithmonë nga ShBA-ja.
Evropa: Bien shitjet në aviacion, rritet sektori detar
Gjatë vitit 2021, 27 kompani nga 100 kompanitë më të mëdha të armëve vijnë nga Evropa. Shitjet e tyre gjithsej shënuan rritje prej 4.2 për qind krahasuar me vitin 2020, duke arritur 123 miliardë dollarë.
“Shumica e kompanive evropiane të specializuara për aviacion raportuan humbje për vitin 2021, për çka i fajësojnë ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit”, tha Lorenzo Scarazzato, hulumtues në programin e Shpenzimeve Ushtarake dhe Prodhimit të Armëve në SIPRI.
“Në anën tjetër, ndërtuesit e anijeve duket që janë prekur më pak nga pandemia dhe kanë rritur shitjet në vitin 2021”, tha Scarazzato.
Dy kompani turke në Top 100
Në mesin e 100 kompanive për shitjet më të larta në botë gjatë vitit 2021 janë edhe dy kompani turke. Kompania ASELSAN ka realizuar shitje prej gati 2.2 miliardë dollarëve gjatë vitit 2021.
Në këtë listë është edhe aviacioni turk, me shitje prej 1.2 miliardë dollarëve gjatë vitit të kaluar, dhe me rritje prej 50% krahasuar me vitin paraprak, kur realizoi shitje prej 800 milionë dollarëve.