Në Francë kanë vazhduar përgjatë mbrëmjes së kaluar protestat që filluan në vend, pasi i riu 17-vjeçar Nael M. u vra më 27 qershor pas zjarrit të policisë gjatë një kontrolli trafiku në rajonin periferik Nanterre të Parisit.
Pavarësisht thirrjeve të bëra nga autoritetet zyrtare për vetëpërmbajtje dhe deklaratave se do të "sigurohej rendi", në kryeqytetin Paris dhe në qytete të tjera u përjetuan ngjarje të dhunës dhe plaçkitjes.
Protestuesit ngritën barriera nëpër rrugë, dogjën automjete të shumta si dhe dëmtuan dyqane dhe prona publike.
Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, në një deklaratë të bërë dje njoftoi se në gjithë vendin u mobilizuan 40 mijë forca të policisë dhe xhandarmërisë, nga të cilët 5 mijë në Paris.
Ai njoftoi se deri më tani janë arrestuar 667 persona në mbarë vendin.
Në rrugën kryesore të Nanterre, ku u përjetua ngjarja, u dogjën shumë automjete ndërsa protestuesit shkruan nëpër muret e ndërtesave "hakmarrje për Nael".
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, vërehet se janë plaçkitur disa dyqane të famshme në qendër të Parisit, ndërsa gjithashtu janë thyer xhamat e dyqaneve dhe restoranteve si dhe janë dëmtuar bankomatët.
Protestuesit në Clichy-sous-Bois në jug të Parisit i vendosën zjarrin ndërtesës së këshillit rajonal.
Bëhet e ditur se në qytetin Marseille u plaçkit një bibliotekë dhe se policia duke ndërhyrë me gaz lotsjellës shpërndau një grup prej 150 personash që tentuan të ngrinin barrikada nëpër rrugë.
Kundër mundësisë së sulmit nga protestuesit ndaj transportit publik në Paris, shërbimet e autobusëve dhe tramvajit në gjithë qytetin u anuluan para perëndimit të diellit. Në qytetin Toulouse u dëmtuan automjete, ndërsa në Lyon u dëmtua një tramvaj.
Mediat francez kanë vënë në dukje se intensiteti i protestave në Paris është ulur në masë të madhe që nga ora 05:00.
Më 27 qershor në qytetin Nanterre policia hapi zjarr ndaj një automjeti ku ndodheshin 3 persona dhe vrau drejtuesin e tij 17-vjeçar i cili nuk zbatoi paralajmërimin për "ndalesë".
Përderisa lidhur me ngjarjen filloi një hetim, personat që reaguan ndaj vdekjes së Nael dolën nëpër rrugë në qytete të ndryshme në mbarë vendin.
Pas protestave në zonat periferike Nanterre, Claramat dhe Savigny-le-Temple të Parisit u shpall orë policore.