Trump dëshiron të tërheqë 20 mijë trupa nga Evropa / Foto: Reuters

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, dëshiron të tërheqë 20 mijë trupa nga Evropa.

Siç raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA, duke cituar një burim diplomatik evropian, Trump planifikon ta shkurtojë praninë e trupave amerikane në Evropë me rreth 20 për qind ose 20 mijë trupa më pak, në kuadër të një rishqyrtimi të angazhimit të ShBA-së për ta mbrojtur Evropën.

“Veç kësaj, për ata të mbetur, ai do të donte një kontribut financiar nga vendet evropiane, sepse këta ushtarë janë parandalues dhe kostot nuk mund të përballohen vetëm nga taksapaguesit amerikanë”, tha burimi diplomatik për median italiane.

Në muajin korrik të vitit 2020, gjatë mandatit të tij të parë, Trump njoftoi se ShBA-ja do të tërheqë 12 mijë trupa nga Gjermania në përgjigje të dështimit të Berlinit për t'i përmbushur objektivat e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes.

Në shkurt të vitit 2021, presidenti Joe Biden zyrtarisht pezulloi tërheqjen e planifikuar të trupave amerikane nga Gjermania.

Sipas të dhënave deri në fund të vitit 2024, përafërsisht 100 mijë trupa amerikane nga degë të ndryshme janë të stacionuara në gjithë Evropën.

AA