Presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, kritikoi administratën e presidentit amerikan Joe Biden për shkak të zjarreve pyjore që shpërthyen në një nga lagjet luksoze të qytetit në Los Angeles.
Në një postim në "Truth Social", Trump pretendon se zjarret në Los Angeles u shkaktuan për shkak të "paaftësisë së tmerrshme dhe keqmenaxhimit të dyshes Biden dhe guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom".
Duke pretenduar se nuk ka ujë në ujësjellësat kundër zjarrit në Los Angeles dhe se Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) nuk ka para, Trump tha: "Kjo është ajo që më la Joe Biden. Faleminderit, Joe".
Trump kërkoi dorëheqjen e guvernatorit të Kalifornisë, Newsom, duke pretenduar se politikat mjedisore të administratës po devijojnë ujërat e ëmbla në ligatina dhe habitatet për kafshët e egra dhe se kjo ka tharë burimet e ujit që përdoret për shuarjen e zjarrit.
Newsom reagon ndaj Trumpit duke thënë se ai "po kërkon të bëjë politikë"
Guvernatori Newsom në një deklaratë për CNN iu përgjigj kritikave të Trumpit duke theksuar se "Është e pabesueshme që ai edhe në këtë situatë madje kërkon të bëjë politikë".
"Njerëzit po humbasin shtëpitë e tyre, të dashurit e tyre, madje edhe jetën e tyre. Zjarret po shkatërrojnë shkollat e fëmijëve, jetën e familjeve, por Trump po kërkon të bëjë politikë", tha Newsom.
Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë deklaratë kundër kritikave të Trumpit ndaj Bidenit.
Në mediat amerikane thuhet se Trump për shkak të zjarreve ka rindezur mosmarrëveshjen e tij e cila vazhdon prej një kohe të gjatë me guvernatorin Newsom.
Trump dhe Newsom janë përfshirë vazhdimisht në debate të ashpra në të kaluarën mbi parandalimin e zjarreve, politikat mjedisore, ndryshimet klimatike dhe imigracionin.
Autoritetet në Los Angeles njoftuan se një zjarr pyjor që shpërtheu më 7 janar në një nga lagjet e luksoze të qytetit po vazhdon në 6 zona të veçanta dhe deri më tani nga zjarri kanë humbur jetën 5 persona.