Trump paralajmëron sanksione nëse Putini nuk pranon bisedimet e paqes. / Foto: AA Archive

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, deklaroi se mund të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë nëse presidenti i saj, Vlladimir Putin, refuzon të negociojë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton Anadolu.

Duke iu drejtuar gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet nëse do të vendoste sanksione të tjera ndaj Moskës nëse Putin refuzon të përfshihet në bisedimet e paqes.

"Duket e mundshme," tha ai, pa dhënë detaje.

ShBA-ja tashmë ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

I pyetur nëse beson se lufta në Ukrainë duhet të ndalet, Trump u përgjigj se "lufta nuk duhet të kishte nisur kurrë."

"Po të kishit pasur një president kompetent, dhe nuk e kishit, lufta nuk do të ndodhte. Lufta në Ukrainë nuk do të ndodhte kurrë nëse unë do të isha president," tha ai.

Ai kritikoi ish-presidentin Joe Biden, duke thënë se Putini "nuk e respekton" udhëheqjen e tij.

Në lidhje me pyetjen nëse do të vazhdojë të dërgojë armë në Ukrainë, Trump tha se do të "marrë në konsideratë atë mundësi."

"Ne po bisedojmë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Së shpejti do të flasim me presidentin Putin, kështu që do të shohim se çfarë dhe si do të ndodhë," shtoi ai.

Trump premtoi se do ta përfundojë luftën në Ukrainë, duke shtuar se do të angazhohet në bisedime me Putinin, megjithëse nuk dha një afat kohor ose detaje të tjera.

TRT Balkan / agjencitë