Trump pretendon se rivali i tij Biden do të tërhiqet nga gara presidenciale / Foto: AA

Ish-presidenti dhe kandidati për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në ShBA në nëntor, Donald Trump, tha se rivali i tij dhe presidenti aktual, Joe Biden, do të tërhiqet nga gara zgjedhore.

Në rrjetet sociale është publikuar një video e Trumpit në fushën e golfit, duke diskutuar mundësinë e tërheqjes së Bidenit nga zgjedhjet dhe kandidimin e Kamala Harrisit.

Duke kritikuar "performancën e keqe" të Bidenit në debatin televiziv parazgjedhor, Trump tha se ai bëri një punë të shkëlqyer dhe e përshkroi rivalin e tij Biden si "të vjetër dhe të mjerë".

Në bisedë, Trump pretendoi se Biden do të tërhiqej nga zgjedhjet.

“Ai po largohet nga gara, që do të thotë që Kamala të mbetet”, tha Trump.

Trump e quajti patetik zëvendëspresidenten aktuale amerikane Harris, por ai beson se ajo do të ishte kandidate më e mirë se Biden.

Biden është objektiv i kritikave në ShBA pas një debati të drejtpërdrejtë televiziv me Trump, në të cilin pritej të argumentonte akuzat e opozitës se ai është shumë i vjetër për një mandat të dytë në krye të vendit.

Pas debatit të drejtpërdrejtë, disa zyrtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike gjithashtu filluan të shprehnin mendimin se Biden duhet të tërhiqej nga gara presidenciale.

Mundësia e kandidimit të Harrisit është diskutuar prej disa kohësh brenda Partisë Demokratike.

Demokrati Lloyd Doggett ishte anëtari i parë i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së që i bëri thirrje Bidenit të tërhiqej nga gara zgjedhore.

Anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, James Clyburn, i cili mbështeti Bidenin në zgjedhjet e mëparshme, tha se ai do të mbështeste Harrisin nëse Biden tërhiqej.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Biden nuk do të tërhiqet nga gara presidenciale.

AA