Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, deklaroi se ka patur një bisedë me presidentin rus, Vlladimir Putin dhe se kishin rënë dakord të fillonin menjëherë negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Patëm një bisedë të gjatë dhe shumë produktive me Putin”, shkroi Trump në Truth Social, duke shtuar se ato kanë diskutuar për Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, Inteligjencën Artificiale, fuqinë e Dollarit dhe tema të tjera të ndryshme.
Ai theksoi se secili prej tyre foli për forcat e shteteve të tyre dhe "përfitimin e madh" që do të kenë një ditë për të punuar së bashku.
"Por fillimisht, siç ramë dakod të dy, duam t’i japim fund miliona vdekjeve që po ndodhin në luftë.
"Ne u dakorduam të punojmë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë vizitat në vendet tona. Po ashtu, u dakorduam që ekipet tona përkatëse të fillojnë bisedimet menjëherë dhe do të telefonojmë Presidentin Zelenskyy të Ukrainës për ta informuar për bisedën, diçka që unë do ta bëj tani," shtoi ai.
Trump kërkon që ekipi i tij të udhëheqë negociatat
Trump tha se kërkoi nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Michael Waltz dhe i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, t'i udhëhiqnin negociatat.
Presidenti shtoi se beson që negociatat do të jenë "të suksesshme."
Trump e përsëriti pohimin e tij se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës nuk do të kishte nisur nëse ai do të kishte qenë president, duke theksuar: "Nuk duhet të humbasin më jetë!"
Ai gjithashtu falënderoi Putinin për "kohën dhe përpjekjet" lidhur me bisedën dhe lirimin e Marc Fogel, i cili kishte qenë i burgosur në Rusi që nga viti 2021 dhe u lirua nga Rusia të martën.
"Besoj se kjo përpjekje do të çojë në një përfundim të suksesshëm, shpresojmë së shpejti!" shtoi Trump.