Një furgon u përplas dje me një grup protestuesish në Cardiff që demonstronin në solidaritet me Palestinën.
Nga incidenti që ndodhi në kryeqytetin e Uellsit, fatmirësisht nuk raportohet për viktima apo të lënduar.
Pamjet nga demonstrata, të shpërndara në rrjete sociale nga Televizioni i Universitetit të Cardiffit, treguan një shofer në një furgon duke u futur në turmë. Në video shihen disa protestues duke rënë përtokë nga përplasja, teksa disa të tjerë tentonin ta ndalonin automjetin.
Protesta e organizuar nga platforma "Universiteti i Cardiffit për Palestinën (CU4P)" u zhvillua në rrugën Park Place, pranë godinës së rektoratit të universitetit.
CU4P deklaroi se demonstrata kishte për qëllim të protestonte ndaj bashkëpunimit të universitetit me organizatat dhe kompanitë që mbështesin Izraelin.
Në një deklaratë, CU4P dënoi incidentin, duke e përshkruar atë si një "sulm terrorist" që kishte në shënjestër demonstruesit paqësorë, shumica e të cilëve ishin studentë.
Grupi deklaroi se përdorimi i dhunës ndaj protestuesve paqësorë ishte absolutisht i papranueshëm dhe theksoi se shoferi duhet të përballet me ligjin.
Policia e Uellsit të Jugut, përgjegjëse për Cardiffin, njoftoi se nuk ishte paraqitur asnjë ankesë në lidhje me incidentin. Autoritetet thanë se nuk raportohet për të lënduar apo viktima.